U MBAJT EDICIONI I SHTATË I MANIFESTIMIT LETRAR ,,VJESHTA DHE VARGJET”
Në kujtim të shkrimtarit dhe poetit Rifat Kukaj, e në organizim të Asociacionit të letrarëve dhe artistëve ART CLUB ,,Rifat Kukaj” Drenas, në Bibliotekën Kombëtare ,,Pjetër Bogdani” në Prishtinë u mbajt Edicioni i shtatë i manifestimit letrar ,,Vjeshta dhe Vargjet”. Manifestimi filloi me këngën ,,Baresha” me tekst të Rifat Kukajt, kompozim të Rexho Mulliqit dhe interpretim brilant të Nexhmije Pagarushës.
Izet Abdyli kryetar i Asociacionit të letrarëve dhe artistëve Art Club ,,Rifat Kukaj” duke falënderuar artdashësit e pranishëm në sallë shpalosi një historik të shkurtër të këtij manifestimi tashmë tradicional e që është dashur të mbahej vitin e kaluar në 15 vjetorin e vdekjes së Rifat Kukajt, por që për shkaqe të pandemisë ishte shtyrë deri tani. Për shkak të rrethanave të COVID 19 numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar.
Manifestimi përfshinte: Tryezën tematike për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Rifat Kukaj, ku me kumtesat e tyre u prezantuan: Anton Nikë Berisha me një vështrim të përgjithshëm për krijimtarinë e shkrimtarit, Adem Gashi u ndalë me theks të veçantë në prozën për të rritur, Mehmet Rukiqi spikati disa nga elementet e humorit në veprën e shkrimtarit, Prend Buzhala analizoi romanet për fëmijë ndërkaq Vilsonn Culaj shpërfaqi vlerat e poezisë për fëmijë t të shkrimtarit.
Po ashtu u mbajt Ora poetike ,,Rifat Kukaj” ku lexuan punimet e tyre pjesëmarrësit e konkursit letrar me shifër, meqë rast u ndanë edhe çmimet letrare. Juria e konkursit në përbërje: Xheladin Mjeku kryetar, Kosovare Krasniqi anëtare dhe Erëmira Jusufi Anëtare, pasi vlerësoi punimet dhe paraqiti arsyetimin e vet i ndau çmimet si në vijim : Vendi parë iu nda poezisë ,,Për luftën “ shifra M 81 me autor Mehdi Krasniqi, vendin e dytë poezisë ,,Nderim para legjendës “ shifra Shkoza dhe vendin e tretë poezia ,,Shpirt i dërmuar “ shifra Murana.
U nda edhe çmimi motivues për të rinj ,,Iljzaz Prokshi” të cilin e fitoi poezia një qiell të buzëqesh , shifra Nimfa me autore Ejona Hasani si dhe çmimi kryesor për vepër jetësore në krijimtari ,,Rifat Kukaj” të cilin e mori shkrimtari për fëmijë Avdi Shala. Pjesë e manifestimit ishte edhe ekspozita virtuale me ballinat e librave të Rifat Kukajt e cila gjatë tërë manifestimit u shfaq në monitor. /Rajoni.org
