Mbrojtja e Romës është në emergjencë totale para ndeshjes së raundit të 4-t të fazës së grupeve në grupeve në Europa League ndaj rumunëve të Cluj. Chris Smalling të cilin trajneri Fonseca sapo e kishte rikuperuar ka probleme në gjurin e majtë dhe do të jetë jashtë për ndeshjen e të enjtjes, ashtu si edhe Mancini i cili ka pësuar një dëmtim muskular.
Të njëjtin fat pritet të ketë edhe Ibanez i cili gjithashtu vuan nga një tërheqje muskulare. Duke i shtuar kësaj liste edhe mungesat e Kumbullas dhe Fazios të cilët ende nuk kanë fituar betejën me COVID-19, i vetmi qëndërmbrojtës në dispozicion të Fonsecas për ndeshjen e radhës është braziliani Juan Jesus, dhe duke patur parasysh skemën me tre qëndra me të cilën luan trajneri portugez i verdhekuqëve, Fonsecas i duhet të përshtasë dy lojtarë jashtë rolit për takimin e radhës.