Samoa pritet të bëhet për herë të parë me qeveri të udhëhequr nga një grua, duke e shënuar fundin e një drame të pashembullt politike në shtetin e vogël të Paqësorit me 200 mijë banorë.
Të hënën, Gjykata Supreme e Samoas përfundimisht e ligjësoi fitoren e befasishme të zonjës Fiame Naomi Mata në zgjedhjet e prillit, duke u dhënë fund krizës politike dhe thirrjeve për përsëritje të zgjedhjeve.
Ajo e rrëzoi nga pushteti kryeministrin me pushtetin e dytë më të gjatë në botë – Tuilaepa Sailele Malielegaoi – i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1998, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Sistemi i partisë në pushtet filloi të shfaqte shenja të dobësimit vitin e kaluar, kur disa anëtarë të partisë HRPP u larguan dhe themeluan një parti opozitare.
Aktive në politikë që nga mesi i viteve të tetëdhjeta, politikania 64-vjeçare ka qenë zëvendëskryeministrja e parë grua në Polinezi dhe do të jetë vetëm gruaja e dytë në rajon që do të udhëheqë një qeveri.
Fushata e saj solli një frymë tërësisht të re në politikën e Samoas. Ajo filloi duke ftuar njerëz në shtëpi për diskutime dhe debate dhe shpejt filloi të udhëtonte nëpër pjesë të ndryshme të vendit për të kontaktuar drejtpërdrejt me votuesit.
Kjo fushatë doli të jetë e suksesshme. Partia e zonjës Mata siguroi 25 ulëse në kuvend. Për formimin e qeverisë, pritet që asaj t’i mjaftojë përkrahja e një deputeti të pavarur.