(Për hallin që ka, gruaja e dëshmorit Mehmet Saliuku, Minirja, ka trokitur në shumë dyer, në zyrat e PDK-së në Prishtinë, ka kërkuar të takohet me Kadri Veselin dhe t’ia shpjegojë hallin, por s’e kanë lejuar, ka qenë edhe tek babai i Hashim Thaçit në Burojë, ka kërkuar ndihmen edhe të Sami Lushtakut e të familjes Jashari, se për problemet me të cilat përballet ka biseduar edhe me shumë deputetë dhe me zyrtarë të lartë të PDK-së e edhe me kryetarin e PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, por askush nuk e ka përfillur)
Në ditën e çlirimit të Drenasit, 14 qershor, Minire Saliuku, gruaja e dëshmorit Mehmet Saliuku dhe dy fëmijët e saj mund të mbesin në rrugë. Pikërisht në këtë ditë, për të cilën bashkëshorti i Minires, Mehmet Saliuku derdhi gjak, mbahet gjyqi ndaj saj, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Drenas. Minirja i ka thenë gazetës online Vision Mega se vuajtjet e saj dhe të fëmijëve janë pa fund.
“Kam marr ftesën për gjyq, saktësisht në Ditën e Çlirimit të Drenasit, me 14 qershor. Tanimë gjithçka mbetët në dorë të Zotit, për mua dhe për fëmijët. Ramiz Lladrovci arriti ta bëjë atë që është që është mundur prejse ka ardhur, të më lë në rrugë. Ka mbi 8 vjet që rri në këtë banesë, të cilën vetë komuna ma ka dhënë nëshfrytëzim dhe askush nuk më ka trazuar derisa ka ardhur Ramiz Lladrovci. Ai është njeriu që më ka shkatërruar, jam e vetmja familje dëshmori në Kosovës që nuk ma kanë zgjidhur çështjen e banimit”, thotë Minirja, derisa lotët nuk mund t’i ndalë.
Trysnia dhe presioni kishte shkuar deri aty, saqë Minirja ishte kërcënuar se do të dëbohej me Polici nëse deri në afatin që i ishte caktuar nuk e liron banesën, para gati tri vjet. Ajo ka rikujtuar momentet më të vështira në jetën e saj.
“Erdhën të më dëbojnë këta të komunës me Polici. Unë pata vendosur edhe u thashë mund të më mbysni, por prej banese nuk dal, atë ma ka dhënë Komuna, vetë Idriz Hysenaj, që ka qenë tani drejtor në Komunë, m’i ka dhënë çelësat e banesës edhe më ka thënë rri këtu. Kam qenë e qetë derisa ka ardhur Ramiz Lladrovci, i cili asnjëherë nuk më ka pranuar të bisedoj me të, më ka injoruar dhe më ka përçmuar skajshëm. Më ka quajtur të papërgjegjshme. Madje ai më ka quajtur me fjalët më banale të mundshme. I kam shkuar në shtëpi, më ka thënë shko e jeto në bjeshkë të Gradicës. Më kanë detyruar të marr kredi, kam dashur të ndërtoj shtëpi në truallin që ua kanë nda familjeve të dëshmorëve, por nuk më kanë lënë ta ndërtoj. Pronë tjetër nuk kam, e kam dëshmuar edhe me letra. Lladrovci më ka shkatërruar jetën mua dhe të ardhmen e fëmijëve të mi. Unë vuaj nga një sëmundje e rëndë (kancer), ndërsa vajza ime është plagosur në luftë dhe vuan pasojat e luftës. Unë dhe ajo trajtohemi për çdo ditë nëpër spitale. Djali im nuk ka mundur të regjistrohet në fakultet të shtetit, por është detyruar të regjistrohet në fakultet privat, në ‘AAB’. Mehmeti ka rënë duke luftuar fyta-fyt me serbët, vetëm dy ditë pas rënies së Fehmisë dhe Xhevës. Ai ka qenë ushtar i Fehmisë (Lladrovcit). Mehmeti e ka parë vdekjen me sy, por nuk është trembur kurrë”, thotë Minirja, derisa lotët i shkojnë faqeve të zbehura, e lodhur nga ankthi që e përcjell me muaj të tërë. E gjatë aksionit të dëbimit të familjeve nga banesat, siç i kanë thënë gazetës në Komunë, “të uzurpuara”, familja e dëshmorit Mehmet Saliuku ka refuzuar të dalë nga banesa. Duke parë situatën, zyrtarët komunalë të Drenasit, që shoqëroheshin me Polici, kishin hartuar një procesverbal, sipas të cilit e gjithë lënda dhe rasti i saj do të dërgohet në gjykatë.
“Edhe me gojë ata të komisionit më thanë që duan t’ia lënë gjykatës. Nuk kisha çka të bëj, e nënshkrova atë letër. Pasi nuk më hodhën në rrugë me erdhi njëfarë lehtësimi dhe besoja se Gjykata nuk mund të më lërë në rrugë. Unë jam betuar, nëse ndodh që fëmijët m’i lënë në rrugë do ta vras veten, do të kërcej prej ballkonit të banesës. Nuk më duhet jeta. Lë të bëjnë tani çfarë të duan me fëmijët e mi, që janë fëmijët e njërit prej dëshmorëve të parë të komunës së Drenasit. Po më dhimbsen fëmijët, ata as gjumin nuk po mund ta bëjnë, vajza që është plagosur në luftë vetëm qan, nuk mund të rehatohet. Ajo ka nevojë për rehabilitim, ka nevojë për ndihmën e mjekut, ajo nuk guxon të shqetësohet. Nuk guxoj as unë, sepse sëmundja që kam është duke përparuar”, shpjegon ajo hallin që ka. Por gjëja më e rëndë që e kishte goditur edhe më fort Miniren, siç thotë ajo vetë, ishte ftesa që kishte marrë nga Policia e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda.
“Më thirrën e me thanë eja në Stacionin nr. 2 në Prishtinë. E lexova, shkruante ‘Policia për Krime të Rënda’. I mora krejt dokumentet me vete. Erdhën ata hetuesit civilë dhe më treguan për çka jam e ftuar. Janë paraqitur mirë me mua, më thanë se i dinë problemet e mia, por banesa thanë se nuk është imja. Ju thashë se duhet të jetë imja, aty jetoj qe 5 vjet, vetë Komuna më ka vendosur, ua tregova edhe emrin e zyrtarit që m’i ka dhënë çelësat. Çfarë krimi paskam bërë unë që më keni thirrur këtu, i pyeta e ata nuk u përgjigjen.
A krim është të luftoj për strehimin e fëmijëve të mi kur në krejt Kosovën familjeve të dëshmorëve u ka bërë zgjidhje. Nuk ka familje dëshmori në Kosovë që ia mohojnë të drejtën për strehim, përveç meje. Është obligim i shtetit që asnjë familje dëshmori të mos e lënë në rrugë, shteti ka obligim të përkujdeset edhe për shkollimin e fëmijëve. Çka bëri shteti për mua, për fëmijët e mi, asgjë hiç. E tash kjo komunë më bën edhe kriminele. Për mua do të vendosë Gjykata për Krime të Rënda, sepse kjo që kam bërë unë qenka krim. A mund ta kuptojnë këta se ashtu siç është banesa e Komunës, edhe unë dhe fëmijët e mi jemi të kësaj komune. A e dini ju se kush ka marrë aty banesa prej komune, jo nuk e dini, shkoni e këqyrni”, përpiqet të shjegojë ajo. Minirja ka treguar se ka trokitur në shumë dyer, madje edhe në zyrat e PDK-së në Prishtinë, se ka kërkuar të takohet me Kadri Veselin dhe t’ia shpjegojë hallin, ka qenë edhe tek babai i Hashim Thaçit në Burojë, ka kërkuar ndihmen edhe të Sami Lushtakut e të familjes Jashari, se për problemet me të cilat përballet ka biseduar edhe me shumë deputetë dhe me zyrtarë të lartë të PDK-së e edhe me kryetarin e PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, por zgjidhje nuk i është bërë.
“Po më vjen shumë rëndë që ky Ramiz Lladrovci po i mashtron të gjithë, kinse më ka bërë zgjidhje, por unë gjoja nuk paskam pranuar dhe këta po i besojnë, po i besojnë një njeriu që një familje dëshmori është duke e keqtrajtuar mizorisht. Ai po i bën zgjidhje një gruaje serbe e mua jo, atë e kanë lutur se ku do ta dërgojnë. Kështu janë këta të komunës sonë”, shprehet ajo. Minirja thotë se është e dhembshme që njerëzit i besojnë që s’e ka lënë asnjë familje pa kulm mbi kokë.
“Eshtë e turpshme çka thotë Ramizi, kujt i ka suguruar ai strehë, ai veç probleme na ka ba, për vete i ka ba punët mirë, ka përfituar dhe në këtë mënyrë është pasuru, e na që nuk kemi asgjë para dere, lë të vdesim a?”, është shprehur e pezmatuar ajo /Vision Mega/
