Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se pas shqetësimeve të numrit të madh të aksidenteve, sot në koordinim me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë zhvilluar takimin e Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor (KSTRR), shkruan Syri.net Kosova.
“Masat urgjente që do t’i ndërmarrim ditët në vijim, ndër tjera përfshijnë krijimin e grupit të ekspertëve për plotësim-ndryshimin e ligjit për rregullat e trafikut rrugor, rishikimin e nivelit të gjobave, ngritjen e vetëdijesimit dhe sensibilizimin e publikut për çështjet e sigurisë rrugore, sinjalizimin rrugor si dhe nismat e përbashkëta për përmirësimin e sigurinë së përgjithshme në trafikun rrugor”, ka njoftuar ministri në Facebook.
Sipas tij, të dhënat zyrtare tregojnë një mori shakatarësh të aksidenteve në trafik, që përfshijnë pakujdesinë e ngasësve të automjeteve, mungesën e sinjalizimit adekuat, ndriçimin, etj.
Ndërsa, ajo çfarë po ashtu konfirmohet për vite me radhë, është së faktori kyç dominant, vazhdon të mbetet tejkalimi i shpejtësisë, parakalimi në vendet e palejuara, mos-vënia e rripi të sigurisë, përdorimi i telefonit.
“Situata në teren dëshmon se kërkohet një mobilizim shumë më i madh nga të gjithë akterët relevant, prandaj hapat e lartpërmendur janë strategjik për të filluar kthimin e rendit dhe sigurisë në trafikun rrugor në Kosovë.”, thuhet në reagim.