Që prej se kanë përfunduar punimet në zgjerimin e sheshit “Adem Jashari” në qytetin e Skenderajt, vetëm para pak muajsh, hapësira nga shtatorja e Adem Jasharit e deri në fund të sheshit në pjesën jugore, ka mbetura pa shportat e mbeturinave.
Gjatë punimeve të kësaj pjesë, kompania e kontraktuar për rehabilitimin dhe zgjerimin e sheshit kryesor, ka larguar të gjitha shportat e mbeturinave, me qëllim që të zëvendësohen me kosha të rinj, shkruan Rajoni.net.
Mirëpo, deri në këto çaste, nuk ka zëvendësim të tyre. Kjo gjendje rrit mundësinë e hedhjes së mbeturinave kudo, derisa të sillen e të rivendosen shportat e mbeturinave.
Një një përgjigje të Zyrës për Informim të Komunës së Skenderajt, bëhet e ditur se shportat do të vendosen serish në gjithë hapësirën e sheshit gjatë këtij viti.
Endrit Nura, zyrtar për Informim, ka thënë se, sapo të përfundojnë procedurat e Prokurimit, kjo çështje do të rregullohet.
“Shportat do të vendosen gjatë këtij viti. Procedura është ende në prokurim, dhe sa të përfundojnë procedurat e prokurimit, shportat do të vendosen në sheshin “Adem Jashari””, i ka thënë Nura, Rajonit.