Situata e zjarreve në vend vazhdon të jetë tepër problematike.
Pasi flakët kanë përfshirë edhe malin pranë Kalimashit, në ndihmë të shuarjes së zjarreve kanë ardhur edhe forcat zjarrfikëse nga Kosova.
Në një intervistë për Syri Tv, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, deklaroi se ka marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë dhe sa herë që duhet ndihmë, Prishtina do jetë pranë vellëzërve shqiptarë.
“Sapo na ka ardhur kërkesa për ndihmë, menjëherë kemi ndihmuar. Ne do të jemi përherë afër Shqipërisë. Jam i lumtur që zjarret tashmë në Kukës janë lokalizuar. Pamjet në Kalimash ishin kataklizmë. Ne po luftojmë me zjarret edhe në Kosovë. Nuk është e nevojshme që të ketë falënderime, pasi ne po ndihmojmë vëllezërit tanë shqiptarë.
Në momentin e parë që Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë na ka dërguar kërkesë, menjëherë kemi mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, që FSK të mobilizohet, kemi aktivizuar edhe zjarrfikësit e emergjencave. Ekziston pakt për ndërhyrje të dyanshme. Ne gjithmonë do përgjigjemi ndaj situatave emergjente”, deklaroi Sveçla.