Bekim Jashari, Kryetari i Komunës së Skenderajt përmes një postimi të bërë në Facebook, ka folur rreth vizitës së zyrtarit serb, Petar Petkoviqit në manastirin e Bajës në Skenderaj, transmeton rajoni.
Ai ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar nga zyra e kryeministrit për këtë vizitë, derisa shton se veprimet e tilla japin shembull jo të mirë.
Ky është postimi i plotë i Bekim Jasharit:
Pas interesimit të medieve dhe qytetarëve, në lidhje me vizitën e zyrtarit serb, drejtorit të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës, në Skenderaj, njoftoj opinionin e gjerë publik që si Kryetar i Komunës së Skenderajt, nuk kam qenë i njoftuar nga niveli qendror i qeverisjes, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë vizitë.
Në lidhje me këtë vizitë është dashur që Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë koordinim të plotë me mua si Kryetar i Komunës së Skenderajt.
Veprime të tilla fatkeqësisht japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla nuk duhet të përseriten.
Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë menyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve.
Një kërkim falje nga ana ime për familjet e dëshmorëve e martirëve, viktimat civile të luftës dhe gjithë qytetarët e vendit, për këtë vizitë të pa dëshiruar e për të cilën shteti ynë nuk me njoftojë paraprakisht.