Përafrimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sipas analistëve politikë në vend, mund të “kurorëzohet” me koalicion në mes të dy këtyre partive, shkruan GazetaBlic.
Një koalicion të mundshëm mes partisë së Ramush Haradinajt dhe asaj të Albin Kurtit e ka thënë në një debat televiziv edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.
Analisti politik, Arton Demhasaj ka thënë për GazetaBlic se koalicioni mes këtyre dy partive mund të arrihet, pasi që siç ka thënë ai, këto kanë bashkëpunuar edhe më parë në opozitë.
“Mendoj se mundet me ndodhë një koalicion i tillë, pasi asgjë nuk ka mbetur e pamundshme në skenën tonë politike, duke marrë parasysh se Vetëvendosje atëherë më shumë e ka kundërshtuar LDK-në dhe përfundoi në një koalicion me të. Prandaj, mendoj se është i mundshëm një koalicion i tillë mes VV-së dhe AAK-së, e këtë duke e bazuar në të kallurën ku kemi parë në një kohë që kanë bërë së bashku opozitarizëm, të cilët kanë kundërshtuar demarkacionin dhe kanë organizuar protesta. Kështu që, duke marrë parasysh një afrim të madh të PDK-së dhe LDK-së, mundet me pas koalicion mes VV-së dhe AAK-së për t’i krijuar dy blloqe, për çka edhe mundet me ndodhë ky koalicion”, thotë ai.
Njëjtë mendon edhe analisti tjetër, Ramush Tahiri. Tahiri për GazetaBlic ka thënë se deri më tani, sipas tij, koalicionet të tilla në Kosovë mund të ndodhin.
“Haradinaj ka thënë se mundet me pas koalicion pas zgjedhor mes AAK-së dhe VV-së. Këto dy parti kanë pas bashkëpunu edhe atëherë kundër demarkacionit, ku edhe janë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Koncepti që është hapur tregon se në Kosovë çdo gjë është e mundshme dhe nuk përjashtohet asgjë. Partitë s’kanë vija të kuqe dhe mund të bëjnë koalicion me njëra-tjetrën varësisht prej interesit. Pra, deri tash nuk ka koalicion që s’ka qenë i pamundshëm”, vlerëson Tahiri.
Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj në Rubikon ka folur për një koalicion të mundshëm pas-zgjedhor me partinë e Albin Kurtit.
“Nuk e thashë në asnjë rrethanë se kemi marrëveshje me Vetëvendosjen për President por mund të kemi në të ardhmen, nuk e përjashtoj hiq. Mund të bëhemi partner me LVV-në pas zgjedhjeve mund të ketë edhe marrëveshje para zgjedhjeve. Kemi dallime substanciale por nuk jemi armiq, por kundërshtarë politikë”, ka thënë ai.