Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj mësimdhënësit Hasan Rama, i cili dyshohet se ka rrahur një nxënëse të shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”.
Lajmin për Gazetën e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Sabit Shkodra, i cili tha se mësimdhënësi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’.L
Mediat kanë publikuar ekskluzivisht pamjet e kësaj ngjarjeje, ku shihet se mësimdhënësi ia gjuan çantën dhe e rrah nxënësen, e cila më pas tenton të dalë nga klasa, por i njëjti nuk e lejon, duke vazhduar të bërtas.
Policia fillimisht s’kishte informacione lidhur me këtë rast, por pas raportimit të Sinjalit e ftuan në stacion policor mësimdhënësin e dyshuar, i cili, me urdhër të prokurorit, u ndalua për 48 orë dhe më pas u kërkua masa e arrestit shtëpiak.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.