Llapi i Tahir Batatinës ka arritur fitore të rëndësishme dhe të thellë në duel me Ballkanin.
Llapjanët me përmbysje shkatërruan skuadrën nga Suhareka, me rezultat 4-1, sfidë kjo e zhvilluar sot në kuadër të javës së 14-të të elitës së futbollit tonë.
Kjo fitore ishte e vështirë për djelmoshat e Tahir Batatinës, ngase mysafirët ishin të parët që arritën të kalonin në avantazh.
Nazmi Gripshi përmes një super-goli nga gjuajtja e lirë e zuri në befasi portierin, Ilir Avdylin që gjithashtu reagoi dobët, ndodhi kjo në minutën e 60-të.
Rikthimi i Llapit ndodhi pas 11 minutash, kur Fazliu barazoi shifrat, e tre minuta më vonë Firmino përmbysi gjithçka në Merdare.
Golin e “nokautit” Ballkanit ia shënoi Edon Sadriu në minutën e 77-të të takimit. Kurse, krejt në fund të përballjes, gjegjësisht në minutën e 87-të, Shabani me një super-gol e vulosi rezultatin final.
Kësisoj, Ballkani bie në vendin e tretë me 24 pikë, ndërsa Llapi ngritet në pozitën e katërt me 21 pikë.