Kuvendi i Skenderajt për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër në seance urgjente ka vendosur për transferimin dhe ridestinim të mjeteve buxhetore, për t’i ikur suficitit buxhetor tani kur shumë mjete buxhetore kanë mbetur pa u shfrytëzuar. Kastriot Gashi, drejtor i Drejtorisë për Financa dhe Buxhet, tha se transferimi dhe ridestinimi është i detyrueshëm për shkak të vështirësive që ka shkaktuar pandemia në komunën e Skenderajt, shkruan vision-mega.
“Me anë ridestinimit të këtyre mjeteve financiare do të ndihmohen klubet sportive, me shumën totale mbi 21 mijë euro, të ndara për 11 klube sportive, si dhe disa projekte infrastruturore në Turiqefc dhe në Qirez. Nga projekti ‘Kyqjet individuale në ujësjellës në fshatra’ shuma prej 90 mijë euro ridestinohet në projektet: Kanalizimi në fshatrat e BL të Turiqefcit dhe Kanalizimi në BL të Qirezit, hartimi i projekteve teknike dh emirëmbajtja dhe riparimi i rrugëve, ndërsa nga kategoria ‘mallra dhe shërbime’ shuma prej 21.594 euro ridestinohet në kategorinë subvencione, për 11 klube sportive”, sqaroi Gashi.
Por me ridestinimin e mjeteve janë ndarë të pakënaqur disa nga asamblistët në Kuvendin e Skenderajt. Ata madje e kanë quajtur Kuvendin e Skenderajt “Asamble të Qirezit”, për shkak, se sipas tyre, gati të gjitha mjetët që deri me tani janë hequr nga projektet që nuk janë realizuar kanë shkuar për projekte infrastrukturore në Qirez.
Asamblisti i LDK-së në Kuvendin e Skenderajt ka shprehur pakënaqësinë e tij për shkak të mosrealizimit të projektit të kyqjeve individuale në ujësjellës në fshatra.
“Si është e mundur që nuk është realizuar projekti për kyqje individuale të fshatrave në ujësjellës, duke ditur rendësinë e këtij projekti jetik për banorët e Drenicës. E dyta çka po du me cekë është mosbalancimi i ndarjes së buxhetit në mënyrë të barabartë dhe mos të ketë lokalitete favorizuese. Qysh është e mundur që në çdo seancë me hjekë mjete nga projektet tjera e me i çu në Qirez, siç ishte rasti më i fundit me mjetet e projektit për kyqje individuale në ujësjellës që shkojnë për kanalizimin në Qirez”, ka pyetur ai.
I pakënaqur ka mbetur edhe asamblisti i AKR-së, Pajazit Isufi. Unë propozoj që suficitin e buxhetit komunal me e dërgu në Qirez, me rrumbullakësu infrastrukturën e me vazhdu me fshatrat tjera”, tha ai. Isufi ka mbetur i habitur edhe për ndarjen e mjeteve për klubet sportive në mënyrë të barabartë, si për klubet e suksesshm, si për klubet që ekzistojnë vetëm në ‘letër’. Klubi i Volejbollit të femrave Skenderaj, që është krenaria e qytetit të Skenderajt dhe e Drenicës të krahasohet me Klubin e Notit që as që e kisha ditur që ekziston si klub, t’u ndahen njejtë nga 600 euro. Kjo është tepër hipokrizi”, është shprehur ai. Ai shtoi se kishte paralajmëruar që nga qershori se do të ketë sufitit të mjeteve buxhetori, për shkak të ecurive të punëve në realizimin e projekteve.
“Që nga qershori e kemi paralajmëru ekzekutivin se me ecurinë e këtilla të punëve në fund të vitit do të kemi suficit të buxhetit”, ka sqaruar asamblisti i AKR në Kuvendin e Skenderajt, Pajazit Isufi.