Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka miratuar vendimin në favor të ish-drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.
Në vendimin të cilin e ka siguruar IndeksOnline thuhet se ky këshill e ka miratuar ankesën e 19 tetorit 2020 të parashtruar nga Murtezaj, pas shkarkimit që ia kishte bërë kryeministri Avdullah Hoti nga pozita e drejtorit të ATK-së.
Në pikën dy të vendimit thuhet se anulohet vendimi i 16 tetorit 2020 i kryeministrit të Republikës së Kosovës me të cilin ishte shkarkuar Murtezaj.
Sipas vendimit, kryeministri obligohet që të bëjë zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, duke e kthyer Ilir Murtezajn në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim.





