Caroline Humphries dhe familja e saj u shpërngulën në Ancient Ramm Inn, Gloucestershire kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe.
Bëhet fjalë për vitin 1968 kur familja Humphries vendosi të blinte shtëpinë 1000-vjeçare për ta përdorur si hotel, por ngjarje të pazakonta i kanë shoqëruar për vite me radhë.

Objekte të çuditshme dhe shqetësuese tregojnë gjurmët e një historie të errët të një shtëpie që tashmë renditet si një ndër më të përndjekurat në botë nga fantazmat. Babai i Caroline, ishte i pari që zbuloi një grumbull kockash dhe një set thikash të mbishkruara nën pllakat e gurta të dhomës së ndenjes.

Partneri i saj gjeti kocka të tjera, përfshirë një nofull, shpinë, kocka femuri dhe kafkë. Një klerik i kishte thënë babait të Caroline se “fëmijët ishin varrosur gjithandej”. Por kombinimi i kockave dhe thikave i dha të kuptonin se kishin ndodhur “sakrifikime”.

Përveç tyre, ata zbuluan edhe trupin e mumifikuar 500-vjeçar të një maceje që ndodhej brenda një muri. Caroline beson se macja ishte vendosur për të mbajtur shtrigat larg shtëpisë. Ndërtesa është ngritur mbi një varrezë pagane duke e bërë vendin ideal për hetimet e hetuesve të ngjarjeve paranormale.

Besohet se në këtë objekt dikur kanë jetuar skllevër, murgj katolikë dhe gurëgdhendës. Në të janë raportuar ngjarje të çuditshme, si dhe objekte që lëvizin.