Stefano Pioli më në fund ia ka dalë që të mundë Luciano Spallettin.
Në tentativën e tij të 12, ai ka mposhtur trajnerin në Serinë A me një fitore që ka ardhur ndoshta në momentin më të rëndësishëm pasi Milani i tij ka mposhtur Napolin dhe ka marrë i vetëm kreun në renditjen e Serisë A.
Por Pioli mendon se kjo nuk e bën ekipin kuqezi favorit për titullin, pasi ai sheh më të avantazhuar zikaltrit e Interit që e ndjekin.
“Janë tre pikë të rëndësishme për klasifikimin tonë. Djemtë kanë punuar shumë edhe në lojë pa top duke bashkëpunuar dhe me dëshirën për të qëndruar në lojë. Në fund u shpërblyem. Ne jemi të lumtur për fitoren në ndeshjen direkte. Objektivi ynë është të bëjmë më mirë se sa në vitin e kaluar, kemi një pikë më shumë dhe ka ende shumë punë për të bërë.
Me ekipet që janë në vendet më poshtë kemi bërë më pak mirë dhe duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Tani çdo gjë kalon nëpërmjet skuadrave që janë poshtë nesh në renditje, nuk do të përmendja këtu Spezian, pasi nuk duhej të përfundonte në këtë mënyrë, por është e vërtetë, nuk kemi qenë në gjendje të dominojmë ato ndeshje. Është momenti që të tregojmë se e kemi mësuar leksionin.
Favoriti për titullin? Padyshim Interi që është një ekip shumë i fortë, pasi klasifikimi është ende virtual. Më vjen keq që ka ende ndeshje për t’u rikuperuar, do të ishte më korrekte nëse të gjithë do të ishim në të njëjtin nivel të ndeshjeve. Interi është favorit pasi është një skuadër shumë e fortë dhe virtualisht është ende në vendin e parë në klasifikim dhe ne duhet të mendojmë të bëjmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur”, tha Pioli.