Qeveria angleze ka vendosur të bëjë një hap pas në lidhje me sanksionet ndaj Roman Abramovich, i cili ka nxjerrë në shitje Chelsea. Transaksionet financiare të kampionëve të Europës janë ndaluar, me klubin londinez që nuk mund të bëjë lëvizje në merkato.
Gjithsesi, tifozët duan ta ndjekin nga afër ekipin e zemrës në takimin çerekfinal ndaj Real Madrid në Champions League. Dueli i parë do të zhvillohet në “Stamford Bridge” më 6 prill.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Associated Press, raporton se autoritetet qeveritare janë të gatshme të lehtësojnë sanksionet ndaj Chelsea, një prej pronave të manjatit rus, i akuzuar për lidhje të afërt me pushtetin e Putinit.
Chelsea do të jetë në gjendje të shesë bileta për sfidën shtëpiake kundër skuadrës së Carlo Ancelottit, me të ardhurat e siguruara nga biletat që do të përfundojnë në arkat e UEFA-s. Ndërkohë, në ndeshjet e kampionatit mund të marrin pjesë vetëm tifozët miq në “Stamford Bridge”.