Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë mbajtur sot konferencë të jashtëzakonshme për media në lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Veri të vendit.
Sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti mbajtën konferencë të jashtëzakonshme për media në lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
MPB-ja, tash ka publikuar edhe nga afër pamjet e këtyre sulmeve.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.
“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.
“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.
Sipas tij, sulmi i dytë ka ndodhur përmes gjuajtjes me gurë drejt Policisë së Kosovës.
Sulmi i tretë në mbrëmjen e së enjtes është bërë me armë zjarri dhe ka ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.
“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.
Sfeçla, po ashtu, ka thënë se këto ngjarje konfirmojnë “panikun e grupeve për shkak të përmirësimit të sundimit të ligjit”, duke mos dashur të përmendë se cilat janë ato grupe, pos që ato po i sulmojnë institucionet legjitime të Kosovës.
Ndërkaq, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.
Mehmeti ka theksuar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen qetë e të sigurt dhe se duhen të dinë se kur grupet kriminale pengohen, kur iu ndërpriten mënyrat e financimit të aktiviteteve kriminale, “sigurisht që bëhen më nervoz dhe më të tendosura”.