Të enjten skadon marrëveshja për targat ndërmjet Kosovës e Serbisë, e në pjesën veriore të vendit vazhdojnë të qarkullojnë vetura që nuk e respektojnë marrëveshjen, duke mos i vendosur letrat ngjitëse në tabelat me vetura serbe.
Donika Sherifi/ RTK
Njohësit e sigurisë thonë se kjo marrëveshje treguan se sa e vështirë do të jetë marrëveshja finale ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Të enjten skadon afati i marrëveshjes së përkohshme për targat mes Kosovës e Serbisë, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel, e cila ishte e vlefshme për gjashtë muaj. Sipas marrëveshjes, Kosova e Serbia u pajtuan që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t?i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se Kosova ka dështuar sa I përket jetësimit të masave të reciprocitetit me targa në territorin e saj.
“Vetëm pasi të kemi shkuar në Bruksel filluan që të përdoren stikersat e ndryshëm dhe filloj d.m.th kjo çështje të politizohet, që në fakt nuk është dashur fare të bëhet politizimi i kësaj çështje sepse tani në qoftëse nuk jetësohet apo nuk arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare në Bruksel, neve do të na shkaktoj kjo telashe në aspektin e sigurisë sepse do të detyrohen organet e sigurisë të ndërmarrin veprime konkrete sa i përket jetësimit të çfarëdo vendimi që pason pas datës së 21”, tha ai.
Kurse njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxhiri thotë se çështja e targave tregon se sa e vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
“Një temë realisht që duhej të ishte teknike është shndërruar në bllokadë të madhe që nevojiten kaq shumë muaj të diskutimeve dhe dialogimeve nga pala kosovare, serbe dhe ajo BE-së për të arritur një marrëveshje. Kjo nënkupton sa e vështirë do të jetë edhe marrëveshja finale nëse s’ka vullnet dhe angazhim të palëve”, tha ai.
Kryenegociatorët takohen sot për çështjen e targave
Ndryshe emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka dhënë detaje nga takimi që u mbajt të mërkurën në Bruksel ndërmjet ekspertëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë mbi çështjen e targave. “Ekspertët nga Kosova dhe Serbia janë takuar për herë të fundit në grupet punuese për targa para afatit të fundit më 21 prill. Me punën e tyre ata përgatitën për nesër diskutimet e kryenegociatorëve. Tani u takon kryenegociatorëve të gjejnë një marrëveshje për rrugën përpara”, ka shkruar ai në Twitter.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje të përkohshme për targat. Por grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së kanë afat deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje finale.