Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, aktualisht ka nën menaxhim mbi 2.3 miliardë euro të qytetarëve. Këto para janë të investuara nëpër disa vende të ndryshme të botës.
Vlera e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës aktualisht është mbi 2.3 miliardë euro.
Mjetet e Fondit të Kursimeve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të ndryshme të Evropës.
Prej mbi 2.3 miliardë euro, 78 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.
Fondi prej mbi 2.3 miliardë eurosh u takon mbi 700 mijë kontribut-paguesve të Kosovës, shkruan Syri.net
Sipas të dhënave të Trustit këto para janë të investuara nëpër disa institucione nëpër Amerikë dhe nëpër disa shtetet të Evropës.
Në listën e publikuar nga Trusti tregohet se këto para janë të investuara në 24 institucione të ndryshme.


Të gjithë të punësuarit (e regjistruar) në Kosovë paguajnë 10 përqind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pension.
Mirëpo, tash kërkesa për t’i tërhequr 30 për qind të parave është bërë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka bërë të ditur se Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu në një postim në Facebook ka ftuar deputetët nga të gjitha subjektet politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, shkruan ai.
Haxhiu më tej njofton se tani plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Ftoj të gjithë kolegët deputetë nga të gjitha subjektet politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”.

Pro tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe përfaqësues të dy partive të tjera opozitare në Kuvend, LDK dhe AAK.
Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës nuk e ka përkrahur nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.
Lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusi, ministri Hekuran Murati ka thënë se kjo shkakton precedent të rrezikshëm dhe rritje edhe më të larta të çmimeve./Syri.net/.
