Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë Ndërmarrjes Publike Banesore kundër padisë së Qeverisë së Kosovës, për projektin e ndërtimit të një objekti shumëkatësh.
Në një aktvendim të nxjerrë sot, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore kundër padisë së Qeverisë së Kosovës, konkretisht Ministrisë së Ambientit, për pezullimin e procedurave të ndërtimit të objektit shumëkatësh në Lakrishtë.
“Sot kemi pranuar vendimin edhe prej Gjykatës së Apelit lidhur me pretendimet joprofesionale dhe të motivuara politikisht të Ministrisë së Drejtësisë karshi NPB-së”, njoftoi NPB-ja të mërkurën përmes një komunikate për media.
“Përmes këtij vendimi u vërtetua ajo që kemi thënë që në fillim lidhur me projektin tonë të ndërtimit – ai është tërësisht i ligjshëm”, thuhet në njoftim.
Në muajin shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e rrëzoi padinë e Qeverisë së Kosovës kundër Ndërmarrjes Publike Banesore.
Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.
Vendimin për pezullim e kishte nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.
“Sot kemi pranuar vendimin edhe prej Gjykatës së Apelit lidhur me pretendimet joprofesionale dhe të motivuara politikisht të Ministrisë së Drejtësisë karshi NPB-së.”, shkruan në njoftimin e Ndërmarrjes Publike Banesore të Prishtinës.
Përmes këtij vendimi u vërtetua ajo që kemi thënë që në fillim lidhur me projektin tonë të ndërtimit – ai është tërësisht i ligjshëm.
Pra, dëshirojmë të rikujtojmë që ky projekt përveç që është i ligjshëm, i njëjti përbën edhe një prej projekteve më zhvillimore të ndërmarra ndonjëherë nga një ndërmarrje publike në qytetin tonë. Nga 1.1 milionë sa arkëtojmë qira në vit, të hyrat nga qiraja ky projekt do i rrisë në 5 milion. Për më tepër, vlera e pronës do rritet në 140 milionë nga 80 milion sa është aktualisht. Kësisoj, do na hapet rruga që ne për herë të parë pas më shumë se dhjetëra viteve të krijojmë potencialin që të kryejmë funksionin tonë historik – atë të ndërtimit.
Ky projekt i ligjshëm dhe kaq i dobishëm mund të bie ndesh vetëm me interesa partikulare e që në thelb nuk i shërbejnë publikut. Por ne jemi të përkushtuar që të jemi në shërbim të rritjes së ndërmarrjes tonë me qëllimin e vetëm që të jemi në shërbim të interesave të qytetin tonë – Prishtinës.
Ngelim me shpresë që sulmet e deritanishme të marrin fund përderisa ne qëndrojmë të përkushtuar në transformimin e mëtutjeshëm pozitiv të ndërmarrjes tonë.