Mediat nën kontrollin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, janë shprehur të tronditura nga deklarata e presidentit rus, Vladimir Putin, për çështjen e Kosovës, duke e cilësuar si njohje të shtetit e “thikë pas shpine për Serbinë”.
Në një takim me sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Putin të martën u shpreh se Donetsku dhe Luhansku, zona të Ukrainës, janë bërë shtete të pavarura sipas analogjisë analogjisë së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës. Sipas tij, GJND-ja me vendimin për Kosovën ka krijuar precedent dhe bazuar në të Donetsku e Luhansku kanë shpallur pavarësinë. “Unë personalisht kam lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Kosovës, më kujtohet shumë mirë vendimi i GJND-së që thotë se në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, një territor i caktuar i çdo shteti nuk është i detyruar të kërkojë leje për ta shpallur sovranitetin tek autoritetet qendrore të vendimit. Kështu u tha për Kosovën dhe ky është vendim i GJND-së. Të gjithë e mbështetën këtë vendim. Nëse është ashtu, atëherë DNR dhe LNR janë të drejtën e njëjtë ta shpallin pavarësinë e tyre dhe të mos marrin leje nga organet qendrore të Ukrainës, pasi është krijuar precedenti”, qe shprehur Putin.
Deklarata e mikut të Serbisë u pa në këtë shtet si njohje e Kosovës. Titujt kryesorë të mediave të cilat janë nën kontroll të pushtetit kanë qenë kritike ndaj Putinit, siç ndodh rrallëherë, ka shkruar të enjten mediumi kroat “Jutarnji”.
“Putini po luan në Kosovë”, ka shkruar “Informeri” që në tekst ka thënë se verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të vitit 2009 erdhi falë Vuk Jeremiqit, rival politik i Vuçiqit.
Gazeta “Blic” ka thënë se “Putini ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës në Ukrainë”.
Tabloidi “Telegraf” është treguar edhe më i ashpër. “A është kjo vëllazëria ruse? Putini thikë pas shpine Serbisë, e tregtoi Kosovën për Donbasin”, ka shkruar ky medium.
“Kuriri” ka ngelur i shokuar po ashtu. “Interesat lakuriq: Putini mbron interesat në Donetsk e Luhans me interesin e vet, pa llogaritur pozicionin e Serbisë në Kosovë”.
“Hello!” ka përdorur fjalimin e Putinit në ballinë duke e kthyer në kontekst rajonal. “Festë në Prishtinë, Zagreb e Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”.
“Objektiv” ka raportuar me titullin “Thikë pas shpine: Putini njeh Kosovën”.
“Politika” ka qenë e vetmja gazetë proqeveritare që s’ka raportuar fare për fjalimin e Putinit.
Siç raportohet, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbajë fjalim të premten ose të shtunën, në të cilën do të japë shpjegim për deklaratat e Putinit.
