Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti duket se ka hequr dorë të garojë me Kroacinë sa i përket zhvillimit ekonomik e pagës mesatare, kjo pasi këtë vit, Kosova do të ketë një rritje shumë më të vogël ekonomike.
Derisa vitin e kaluar, qeveria Kurti krenohej me rritje ekonomike prej mbi 10 përqind, duke ia atribuar vetës të gjitha meritat për këtë, ngecjen që do t’i ndodh rritjes ekonomike në vitin 2022 nuk po e pranojnë, e fajin për këtë po e gjejnë krejt diku tjetër, shkruan lajmi.net.
Tregjet globale dhe pasojat e luftës në Ukrainë sipas qeverisë janë arsye pse këtë vit do të ketë “rritje ekonomike më të moderuar”, për çka ekzekutivi po detyrohet t’i rishikojë planet.
Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se rritja ekonomike këtë vit të shkojë në 5.7 përqind.
“Si rezultat i tronditjeve në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale dhe pasojave të luftës në Ukrainë, ekonomia e Kosovës pritet të ketë një rritje më të moderuar në vitin 2022, andaj edhe vlerësimet e Ministrisë së Financave janë rishikuar krahasuar me ato fillestare për këtë vit. Nga parashikimet presim që rritja reale e vitit 2022 të arrijë 5.7 %, nxitur kryesisht nga eksporti neto dhe investimet, kurse rritja nominale përsëri do të jetë dyshifrore, megjithatë janë presionet inflacionare që ndikojnë që rritja reale kësaj radhe të jetë me e ulët”, ka thënë Murati në mbledhjen e Qeverisë.