Më 26 prill të këtij viti Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin “Veteranët”.
Ky vendim i kthen edhe njëherë në bankën e të akuzuarve anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së.
Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari me vendimin e Gjykatës së Apelit pritet të gjykohen edhe një herë për të njëjtat akuza.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Apeli gjeti se vendimi i Gjykatës së Prishtinës kishte shkelje eseciale dhe më qëllim të evitimit të tyre urdhëroi që gjykimi të përsëritet.
Por kush është gjyqtari i cili e ktheu lëndën “Veteranët” në rigjykim?
Sipas gazetarit Vehbi Kajtazi, Tomislav Petrovic është gjyqtari i cili e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Ai e ka quajtur rast eklatant dhe të rënë dhe si një njeri i cili ka punuar për kriminelin Sllobodan Millosheviqin
“Ku po don me shku, rast ma eklatant, rast më të rëndë sesa një gjyqtar i Sllobodan Millosheviqit e kthen në rigjykim rastin e veteranëve të luftës së UCK-së”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi ka folur edhe për për “karrierën” e gjyqtarit të Apelit duke e përmenduar edhe faktin që Tomislav Petrovic ka punuar deri në vitin 2017 në strukturat paralele si gjyqtar.
“Gjyqtar i Sllobodan Millosheviqit sepse prej ’90-s deri në ’99-ën, ka qenë gjyqtar i Millosheviqit, prej ’99-s e deri në 2017-ën, ka qenë në strukturat paralele gjyqtar dhe tash e kemi gjyqtar në Gjykatën e Apelit i cili e tash ka vendos me kthy në rigjykim rastin e “Veteranëve”, është shprehur gazetari Kajtazi.
Ai ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës që jenë të kujdesshëm se kush i trajton lëndët e tilla dhe tutje e ka quajtur konflikt politik që gjyqtari që ka punuar për regjimin e Millosheviqit të e gjykoj kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Është fjala për Tomisllav Petrovicin, na e kemi Këshillin Gjyqësorë, i kemi disa struktura, i kemi disa mekanizma që duhet të thonë ‘nuk bënë ky njeri me gjyku’. Nuk bënë sepse është gjyqtarë i Millosheviqit dhe në rastin e gjykimeve ka konflikt interesi, mos të themi është konflikt interesi është konflikt politik. Gjyqtari i Millosheviqit e gjykon Agim Çekun, kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së”, ka thënë ai në Debat Plus.
Tomislav Petrovic si gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda, si kryetar i trupit gjykues ishte edhe në rastin e vrasjes së veteranit të UÇK-së në Skenderaj.
Tomislav Petrovic tash është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.
Ai përveç që ka shërbyer si nga 1991 deri në vitin 2017 si gjyqtarë i Serbisë ka punuar edhe si polic një kohë të gjatë.
Nga 1 korriku i viti 1980 ka punuar si polic, mandej si inspektor në Shërbimin e atëhershëm të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë.
Nga viti 190 deri më 1992 ka qenë në krye të këtij institucioni, në Shërbimin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, në Prishtinë.
Ai nga 24 tetori i vitit 2017 është integruar në sistemin Gjyqësor të Kosovës, ku është emëruar gjyqtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Në vitin 2020 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë.
Gjithnjë sipas aktakuzës së rastit “Veteranët”, anëtaret e komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.