Sikur Sami Lushtaku, Dardan Molliqaj e Blerta Deliu, të kishin sadopak ndjeshmëri për familjen e Komandantit Ilza Kodra, nuk do ta ekspozonin nëpër rrjete sociale, por do ta trajtonin me respektin dhe ndjeshmërinë e merituar, duke i ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme, pa e ekspozuar në publik.
Shkruan: Hysni Mehani
Dhe nëse Sami Lushtakut, Dardan Molliqajt e Blerta Deliut, i duhej një kauzë për agjenda opozitare, e fundit do të duhej të ishte familja Kodra.
Respektin që ka Sami Lushtaku për familjet e mëdha, sikur familja Kodra, e ka treguar me Familjen Legjendare Jashari.
Dhe, nuk po them, se Sami Lushtaku nuk do duhej t’i dilte kundër në garë, paçka se vetë kishte thënë se kurrë nuk do t’i dilte përballë as edhe një fëmiju të familjes Jashari, por të gjithë jemi dëshmitarë që nuk ka lënë mjet e as propagandë të ulët pa e përdorur vetëm për pushtet. Dhe, Samiu, trajtimin dhe respektin për familjet e mëdha, e ka ashtu siç ia kërkon axhenda ditore në luftën e tij për pushtet; herë u del kundër familjeve të mëdha për t’i mundur ato me çdo mjet e propagandë të ulët, herë derdhë lot krokodili për to.
Që ta kemi të qartë, kur Sami Lushtaku flet për luftë kundër familjeve që kanë dhanë kontribut të madh për UÇK-në, këtë gjë e bazon në vetën e tij. Ai është shembulli më eklatant i luftës kundër familjeve të mëdha dhe keqpërdorimit të shkronjave të arta UÇK-së.
Para dy ditë takova një ushtar të UÇK-së, i cili më tregonte për jetën e vështirë, se nuk kishte as kulm të vetin mbi kokë, dhe se vështirë po ia dilte me ushqime. Kishte shkuar mbi 4 herë në komunë për ta takuar Sami Lushtakun, në pamundësi të takimit kishte lënë numrin e telefonit, por thirrja që e priste nuk i erdhi kurrë.
Ky ushtar, ishte i gatshëm të bënte çdo punë e gjithçka për familjen e tij, përveçse të dilte në televizor, siç thoshte ai. “Në televizor nuk dal.” përmbyllte çdo herë fjalinë ushtari.
Kam qenë në kontakt me familje Kodra, e cila gëzon respektin e secilit prej nesh. Ndërhyrja në punën e institucioneve të pavarur dhe dyshimet që shpërfaqen për bordet me ndikim politike, zënë vend nga përvoja e 20 viteve të kaluara. Sikur të kishte borde me ndikime politike, atëherë do të kishte ndërhyrje që ky rast të mbyllet. Por jo, më në fund, në Kosovë ka institucione të pavarura, dhe një qeveri që nuk ndërhynë në punët e këtyre institucioneve, pavarësisht kostos politike që i duhet të paguajë dhe lojtarëve të ulëta që bëjnë Sami Molliqajt.
Andaj, Sami Molliqaj e Dardan Lushtaku, duhet t’i heqin nga agjendat politike me foto e video, emrat e familjeve të mëdha dhe njerëzve që dhanë kontribut të pashembullt për lirinë tonë.
Lë ta bëjnë politikën siç dijnë ata të bëjnë, por jo me këto vlera e këta emra.
