Përfundoi “Eurosong 2022”. 25 shtetet pjesmarrëse që u kualifikuan nga dy mbrëmje gjysmë finale, garuan sonte për çmimin e parë.
Kënga fituese nga Ukraina e kënduar nga ‘Kalush Orchestra’ me titull ‘Stefania’, mori votat e jurive profesionale dhe të publikut. Votat ishin të kombinuara 50/50, por ato të publikut ishin që i dhanë vulën e fitorës.
Trofeu për këngën nga Ukraina do të thotë që “Eurovizioni 2023”, të organizohet nga ky shtet.
Megjithatë, me luftën atje, vështirë se një gjë e tillë të mund të ndodhë.
Sipas rregullave të “Eurovizionit”, në rast se shteti fitues për çfarëdo arsye nuk mund ta organizojë festivalin, atëherë shteti që ka marrë vendin e dytë duhet ta bëjë këtë. Në këtë rast do të ishte Mbretëria e Bashkuar.
Këtë vit ‘Eurovizioni’ u mbajt në Torino të Italisë.
RTK si çdo vit, edhe këtë herë transmetoi drejtpërdrejt dy netët gjysmë finale si dhe finalen e sontme.
Këtë vit pjesmarrës ishin 40 shtete, mes tyre edhe Shqipëria e cila me Ronela Hajatin dhe këngën e saj “Sekret”, nuk arriti të kalojë në natën finale.
Eurovizioni është gara më e madhe e muzikës në Evropë dhe jashtë saj.
Për shkaqe politike, Kosova vazhdon të mbetet jashtë kësaj gare muzikore.