Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief ka bërë hapjen e 8 puseve në shkollat e komunës së Skenderajt të cilat kanë pasur telashe me furnizimin me ujë, shkruan rajoni.org.
Shkollat në të cilat është bërë hapja e puseve janë “Vëllezërit Frashëri” në Çubrel, “Idriz Berani” në Klinë të Epërme, “Pavarësia” në Krasaliq, “Shotë Galica” në Runik, “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm, “Drenica” në Polac, “Ilir Lushtaku” në Prekaz të Poshtëm dhe “Faik Dragaj” në Leçinë.
Kjo është bërë me qëllim që shkollat të kenë furnizim të rregullt me ujë për të përmbushur nevojat e tyre me qëllim të rritjes së pastërtisë.
Komuna do të vazhdojë të përkrahë projekte të tjera. Komuna për projekte të arsimit ka ndarë 20 mijë euro për kabinete shkollore, dhe do të vazhdojë mbështetjen në bazë të kërkesave dhe nevojave të shkollave e të cilat ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës e rrjedhimisht edhe rritjes së cilësisë së arsimit.
