Një rast i rëndë ndodhi mbrëmë në fshatin Murgë të Skenderajt, ku një person ka pësuar lëndime të rënda, si pasojë e një aksidenti me traktor.
Sinjali mëson se personi ishte duke kryer kositjen në tokën bujqësore, ku si pasojë e kësaj është rrokullisur me traktor dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Atij iu ofrua ndihma nga kalimtarët e rastit që gjendeshin aty, të cilët e morën viktimën dhe u nisën që ta dërgojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia, të cilët rrugës për në vendin e ngjarjes kanë hasur në automjetin privat i cili po dërgonte personin e lënduar në spital.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se atij i është ofruar ndihma e parë në QMF në Skenderaj e më pas u udhëzua që të shkojë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Ndryshe, rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë se viktima është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.