Mediat në Serbi kanë njoftuar se votimi në qendrën votuese në Tërnoc të Madh në Luginë të Preshevës do të përsëritet për herë të katër, pasi prapë janë konfirmuar parregullsi gjatë votimit, ashtu siç pati thënë se po ndodhë edhe në ditën e votimit, Shaip Kamberi, kandidati shqiptar për deputet.
Derisa të vendoset edhe ky rezultat zgjedhor nuk do të mund të shpallet rezultati zyrtar i zgjedhjeve të 3 prillit. Për këtë arsye, nuk do të mund të konsolidohet as Kuvendi dhe rrjedhimisht të votohet qeveria e re. Prandaj, qysh nga 3 prilli, Serbia funksionon me qeveri teknike.
Kamberi ka thënë një intervistë për gazetën serbe Danas derisa priste vendimin e Gjykatës Administrative që kishte në shqyrtim ankesën e Koalicionit të Shqiptarëve për Luginën.
Ai ka sqaruar se kjo luftë institucionale e tij nuk ka të bëjë me faktin se ai do me patjetër që të jetë deputet i Kuvendit, por më shumë për të ekspozuar se si institucionet serbe janë të varura nga partitë që qeverisin me Serbinë, progresistët e Aleksandër Vuçiç dhe socialistët e Ivica Daçiç.
“Nuk është e nevojshme të jem deputet i Kuvendit të Serbisë. Të gjitha përpjekjet e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës në këtë proces shumë të gjatë zgjedhor synojnë të zbardhin lidhjen mes SPS-së, SNS-së dhe institucioneve shtetërore dhe synimin e tyre për të degraduar më tej pozitën e shqiptarëve. Sepse pas disa zgjedhjeve të përsëritura në Tërnovc të Madh, bëhet e qartë se Beogradi nuk na do në parlament”, thotë Shaip Kamberi, bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, për Danas.
“Nuk besoj se Serbia gjatë zgjedhjeve ka arritur një nivel të tillë që askund të mos ketë parregullsi. Tërnoci është një shembull tipik i çdo vendi në Serbi gjatë zgjedhjeve, përveç se ky është i vetmi vend ku dy partitë më të forta, SNS dhe SPS në aleancë me institucionet shtetërore, bashkuan forcat për të kompromentuar të gjithë procesin dhe për të penguar shqiptarët të kenë një përfaqësues të zgjedhur në parlament”, deklaroi Kamberi.
“Duhet të kihet parasysh se edhe herën e parë edhe të dytën, madje edhe të tretën kur u përsëritën zgjedhjet, kryetari i qendrës së votimit ishte nga radhët e SNS-së, ndaj u mbetet atyre të thonë se si mund të kanë ndodhur”.
Kamberi ka bërë të ditur se edhe komisioni zgjedhor në Serbi është krejtësisht i kontrolluar nga dy partitë në pushtet, prandaj vendimet i merr përkitazi me interesat e këtyre dy partive.
Ai shton se nuk është se pushteti i intereson shumë edhe një mandat, sepse ka mjaftueshëm, por thjesht bëhet fjalë që shqiptarëve të mos u lihet asnjë ulëse në parlamentin serb.
“Për ta nuk ka fare rëndësi, përveç por qëllimi i fundit është t’u hiqet një mandat shqiptarëve”.