Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e një të riu në Pejë, i cili përfundoi në ndalim policor pasi dyshohet se e kërcënoi një shitës duke ia drejtuar armën. Motivi i ngjarjes, sipas informacioneve të para dyshohet të jetë konkurrenca në treg.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që ra në prangat e Policisë, si i dyshuar për këtë rast është Egzon Feta, pronar i pemishtes “Egzoni”, në Pejë.
I riu dyshohet se i ka shkuar viktimës para lokalit me një furgon, hap xhamin e dritares dhe ia drejton armën, me të cilën e kërcënon, e më pas largohet nga aty.
Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur informacione, teksa kanë arritur ta arrestojnë edhe të dyshuarin, të cilit i është sekuestruar arma.
I dyshuari që u prangos nga Policia është shoqëruar në stacion dhe më pas është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të mjetit të rrezikshëm”.
Sinjali ka siguruar edhe pamje nga momenti kur i dyshuari i shkon viktimës te lokali dhe ia drejton armën.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në 10.000 euro dhe me burgim prej një deri në dhjetë vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.