Tre vëllezërit nga Fushtica e Epërme e Drenasit që po dyshohen për rrahjen e fqinjit, të cilit i shkaktuan lëndime të rënda për shkak të mosmarrëveshjes për pronë, tashmë kanë rënë në prangat e Policisë.
Sinjali sot raportoi se ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes të së dielës, ku si pasojë e plagëve viktima u dërgua në QKUK. Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se kush janë tre vëllezërit që u kapën nga Policia lidhur me këtë rast.
Pas një periudhe të shkurtër në arrati, të dyshuarit nuk e shijuan gjatë lirinë, pasi u prangosën nga Policia. Tre vëllezërit ndaj të cilëve Prokuroria ka nisur hetimet janë F.Ismajli (38 vjeç), N.Ismajli (33 vjeç) dhe Y.Ismajli (29 vjeç).
Të njëjtit janë ndaluar për 48 orë pasi Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se në bazë të provave të mbledhura deri më tani, dëshmohet se kanë kryer veprat “lëndim i rëndë trupor” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Përleshja, për të cilën po dyshohen vëllezërit lsmajli ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshje për pronë, konflikt ky që u përshkallëzua.
Ashtu siç raportoi sot Sinjali, të dyshuarit përveç që e rrahën fqinjin, ia dëmtuan edhe veturën.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.