Në ngatërresat që ndodhin mes të rinjve kosovarë, përveç kanosjeve e përleshjeve fizike, shpesh herë përdoren edhe armë si ato të ftohta e po ashtu edhe të zjarrit. E një rast i tillë ka ndodhur dje në mesditë në afërsi të shkollës ‘Xheladin Gashi’ në Komoran të komunës së Drenasit, ku dy persona janë arrestuar pasi kanë shtënë me armë zjarri drejt tre personave tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se të dyshuarit ndaj të cilëve kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’, janë Bajram Rexhepi 24-vjeçar dhe Atdhetar Rexhepi 30-vjeçar.
Sinjali mëson se menjëherë pasi është denoncuar rasti, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dy gëzhoja të armës së zjarrit e cila dyshohet se u përdor nga të rinjtë.
Po ashtu me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve në fshatin Zabel i Epërm dhe Llapushnik, ku në pyllin afër shtëpisë së të dyshuarit, Atdhetar Rexhepi, është gjetur një pistoletë dhe pesë fishekë, ndërsa në dhomën e tij të gjumit është gjetur po ashtu një tjetër pistoletë dhe një karikator.
Ndërkohë në shtëpinë e të dyshuarit tjetër, Bajram Rexhepi, është gjetur një tytë e armës së gjatë dhe pjesë imëta të armëve të gjata.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe atyre i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.