Bastisjet për konfliktin që ndodhi mbrëmë në Skenderaj, ku u plagosën dy policë po vazhdojnë, teksa në Polici ndodhet ish-nënkryetari i kësaj komune Nuredin Lushtaku bashkë me të vëllanë. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ende s’është nxjerrë vendim për ndalim, por që për momentin katër anëtarë të familjes Lushtaku po cilësohen si të dyshimtë.
Përveç Nuredinit, Sinjali mëson se edhe vëllezërit e tij, Fatoni e Arifi, si dhe djali i tij, Arbri, po dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast.
Nuredin Lushtaku bashkë me njërin nga vëllezërit janë dorëzuar në Polici, ku po merren në pyetje nga hetuesit policorë për ngjarjen që ndodhi mbrëmë. Burimet brenda Prokurorisë thonë se edhe më tutje mbeten në arrati dy nga të dyshuarit kryesorë.
Në anën tjetër, Polici po vazhdon bastisjet për të mbledhur prova që ndërlidhen me rastin.