Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Drenasit i akuzuar për korrupsion, Fitim Veliqi, tha se në muajin shtator kishte konstatuar se objekti i “Ana Princess” ishte pa leje, ku kishte vendosur shiritin dhe kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve.
Këtë deklarim, i akuzuari Veliqi e bëri në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë dhënies së mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Veliqi ngarkohet se nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh”, objektin “Ana Princess”, objektin “Hajdini Palace” dhe objektin “Aktiv”, me ç’rast nga mosrrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar pronarët e këtyre objekteve, ndërsa komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Gjatë seancës së të hënës lidhur me objektin e “Ana Princess”, i akuzuari Veliqi tha se fillimisht në muajin shtator kishte konstatuar se ky objekt ishte pa leje, ku kishte vendosur shiritin dhe kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve. Më pas, në tetor pasi kishte inspektuar punimet, ndërrimi nuk ka qenë duke punuar por e kishte vërejtur që ishte dëmtuar shenja zyrtare, me ç’rast kishte paraqitur kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse.
Po ashtu, i njëjti tha se ka vazhduar me inspektim, ku në muajin nëntor ka konstatuar vazhdimin e punimeve dhe kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve si dhe kishte hartuar aktvendimin për rrënim e objektit në fjalë, të cilin aktvendim e kishte dërguar tek shefi për aprovim.