Në tavolinën plot mish e alkool, bisedat e njerëzve në Komoran rrjedhin lirshëm. Vapa e madhe duket se nuk i pengon fshatarët të mblidhen në kafenenë në qendër të fshatit. Por, debati nxehet sapo tema për ndryshimin e statusit të Komoranit në komunë çelet për diskutim.
Natyrshëm, të gjithë klientët pajtohen se Komorani duhet të jetë komunë.
“Jemi kanë komunë para Drenasit”, thotë Halil Ukaj, gjersa gati të gjithë me lëvizje të ngadalshme koke pajtohen me këtë deklaratë.

Komuna që s’u bë kurrë
Në një tubim elektoral, para disa vitesh, Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër, kishte shkuar në Komoran, e ku u premtoi përkrahësve të tij se “shpejt” ky fshat do të bëhet komunë më vete.
E mëvetësia e fshatit nga Drenasi, në fakt, nuk ndodhi KURRË, ndonëse tashmë ekziston një pankartë që u dëshiron mirëseardhje njerëzve në komunën e Komoranit.
Fama e madhe e fshatit të Drenicës, u rrit edhe më tutje pas një skeçi të humoristëve të grupit “Stupcat”, të cilët u tallën me Komoranin.
“Veç t’ishe kanë i KamAranit, se n’vend kishe hy në punë”, thuhet në skeçin e tyre, i cili më pas filloi të përdorej në të gjithë Kosovën për të përshkruar në mënyrë tallëse një rajon të tërë.
Por tani, 10 vjet pas atij premtimi, Komorani vazhdon të jetë vetëm një fshat i Drenasit, edhe pse është shumë i rëndësishëm ekonomikisht.
Sipas banorëve të fshatit, Komorani ka qenë komunë vite më parë. Ata theksojnë se në këtë komunë në tentativë kishte edhe teatro, kinema, sallë të koncerteve, postë, qendër të mjekësisë familjare, e stacion policor.
“Më kujtohet në të kaluarën, kur isha në shkollë fillore, ishim komunë, kishim kinema, teatër, sallë koncertesh, postë, stacion policor, qendër të mjekësisë familjare, gjithçka që ka sot një komunë”, tha Zeka, një nga banorët e Komoranit të cilin e takuam në një nga kafenetë lokale përgjatë rrugës kryesore.

Banorët argumentojnë nëse do të ishte më mirë që Komorani të bëhej komunë apo të mbetej vetëm një fshat i Drenasit.
Komorani prej 10 vitesh vazhdon të zhvillohet ekonomikisht. Një numër i madh biznesesh private kanë lulëzuar dhe numri i banorëve është rritur.
“Komorani ka qenë komunë para Drenasit, me kalimin e kohës ndodhi lufta, e Komorani është dashur të jetë komunë që nga paslufta, e pse nuk është, e dinë ata (Qeveria), sepse Komorani ka shumë fshatra, ne kemi më shumë se Drenasi“, ka thënë Halil Uka, banor prej 60 vitesh në Komoran.
Komorani numëron gjithsej 14 fshatra, ndërsa komuna e Drenasit, pa fshatrat e Komoranit, numëron 20 fshatra.
Me formimin e Komoranit si komunë bëhet edhe decentralizimi i komunës së Drenasit, gjë që do të ketë pasoja edhe në ndarjen e buxhetit, ku Drenasi ka të hyra buxhetore rreth 11 milionë euro në vit.

“Ne jemi të gjithë Drenicë, nuk kem kurrgja kundër Drenasit, po me qenë Komorani komunë, hala ma mirë edhe për neve, edhe për ata (komunën e Drenasit). Ka banorë shumë, i bëhën do punë më të lehta atyre e na marrim frymë pak ma lehtë knej. Hashimi nëse kish qenë ktu e kish bo qysh ka premtu”, vazhdoi me rrëfimin e tij Ukaj.
Në fshatrat e Komoranit jetojnë 24 mijë banorë nga gjithsej 60 mijë sa ka i gjithë Drenasi, duke përbërë 40% të komunës.
Pritja…
Banorët e fshatit kanë dërguar një peticion në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal, përgjigjja e së cilës ende nuk ka ardhur.
Megjithatë, ata ende shpresojnë që kërkesat e tyre të merren parasysh dhe sa më shpejt të formojnë komunën e tyre.
“Kemi dërguar edhe një peticion, ku të gjithë e kemi nënshkruar, presim të na përgjigjen (MAPL)”, tha zoti Shaip, banor i Komoranit.

Rregullat e vendosura nga MAPL duhet të plotësohen nga çdo bashkësi që dëshiron të bëhet komunë. Pas plotësimit të kushteve, propozimi i dërgohet Qeverisë, ku merret vendimi përfundimtar.
Në vitin 2009, Kosova mbajti zgjedhjet e para pas Pavarësisë së Kosovës, se dhe në 9 komuna të reja të formuara pas zbatimit të planit të Atisarit. Në këtë listë ka qenë të jetë edhe Komorani.
“Nëse komuna e Komoranit bëhet dhe ata në Drenas e kanë më të lehtë, mund të marrin frymë më lirshëm, se këtu ka shumë fshatra, edhe Drenasi jemi ne, por çdo herë Komorani ka nevojë për kryetarin e vet, përfaqësuesit e vet, njerëzit e vet, që sa vite ka pritur”, deklaroi tutje Ukaj.
Janë disa kushte që duhet të plotësohen që një bashkësi të shpallet komunë, si historia apo të qenët komunë në vitet e mëparshme, largësia nga qendra administrative dhe vështirësitë në kryerjen e shërbimeve komunale, si dhe mungesa e investimeve kapitale në territorin e tyre.
Një nga kushtet që duhen plotësuar për t’u bërë komunë, është fakti që ka qenë komunë në të kaluarën. Komorani e plotëson këtë kusht.
Por, jo të gjithë banorët e Komoranit pajtohen me këtë mendim. Disa prej tyre nuk e shohin të arsyeshëm formimin e komunës, pasi qasja në shërbimet publike sot është bërë shumë e lehtë.
“Çfarë komune, ne jemi mirë, nuk është nevoja sot. Sot krejt kemi kerre, krejt puntë shkojmë i kryjmë për 5 minuta, nuk po është nevoja ma as me pritë, po mos i ngo k’ta çka po thojnë. Unë kam qenë prezent kur na është premtu formimi i komunës. I kemi pa që e kanë pre shiritin, nuk jemi pajtu as atëherë dhe as tani”, tha një nga banorët e ulur pranë nesh.
“Në fund të fundit, të gjithë kanë synimet e tyre politike”, përfundoi tregimin e tij si me nxitim.

Përplasjet në opinion te banorët ishin të shumta, madje edhe te të rinjtë, gjysma e të cilëve nuk duan të identifikohen me komunën e Drenasit.
Madje stereotipizimi i madh i Komoranit ka ngjallur edhe më shumë dëshirën e banorëve që të bëhet komunë sa më parë.
Pasi përfunduam bisedat, i përshëndetëm dhe vazhduam një soditje nëpër Komoran. Por, nuk është se kishte shumë për të parë, përveç rrugës kryesore ku ishin të përqendruara të gjitha bizneset, qendra e administratës publike, shkollat dhe qendra e mjekësisë familjare.
Por, banorëve të Komoranit, nuk u treguam se sipas një publikimi të Institutit GAP, fshati i tyre nuk i plotëson kushtet për të formuar një komunë në vete.