amëkeqi Millan Radoijçiç nuk ka rënë ende në duart e institucioneve të sigurisë kosovare – duke mbetur kështu në arrati.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para as një muaji, përveç tjerash për çfarë kërkohet nga institucionet e sigurisë së Kosovës, tha se Radoijçiç ishte edhe “në krye të kontrabidistëve që sulmuan/ojnë Policinë e Kosovës në veri”.
Kohëve të fundit, Radoijçiç, i njohur për njeri të afërt me Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandër Vuçiç, si nënkryetar i Listës Serbe, si dhe kryehierarku i strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës, u shfaq, fshehurazi, në malet e Leposaviqit.
Aty, për të përçuar një video-mesazh, vokalisht, kërcënues.
“Jam kthyer, jam këtu – e nuk zmbrapsem”, ishte mesazhi i tij.
Ministri kosovar tha se “Radoijçiç nuk është kthyer” por se është futur ilegalisht në Kosovë dhe ka regjistruar videon – e vetëm pas regjistrimit është kthyer në Serbi nga ku e ka publikuar atë.
Por, Lista Serbe, thotë ndryshe. Ata thonë se “Radoijçiç ishte pjesë e protestave të dielen”, kur edhe filluan të barrikadohen disa rrugë në Veri dhe përçka u mbyllën pikëkalime kufitare në Jarinje e Bërnjak.
“Sveçla është i vetëdijshëm rreth asaj se sa autoritet ka zoti Radoijçiç në mesin e serbëve, gjë që më së miri u dëshmua kur zoti Radoijçiç iu bashkua atyre në protestë, ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe gjatë gjithë kohës”, thanë ata përmes një komunikate në Facebook.
“Sveçla shpresoi se me akuza të rreme do ta pamundësonte nënkryetarin Radoijçiç të jetë në mesin e njerëzve të tij, po u mashtrua rëndë”, vazhdon njoftimi.
Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me rrjetin e Radoijçiç, ishte shprehur se “Serbia i shfrytëzon këto grupe për të minuar autoritetin e Kosovës në veri të vendit”.
“Si shpërblim u jep mundësi për t’u pasuruar dhe imunitet pa kufi”.
Radoijçiç u godit edhe nga Thesari amerikan i Shtetit së bashku me biznesmenin kontrovers serb nga Kosova, Zvonko Veselinoviç – si “rrjet të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Radoijçiç dhe Veselinoviç janë fitues të mëdhenj tenderësh, për të mos thënë të përhershëm në Serbi, që nga ardhja në pushtet atje e Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit, u ka dalur zot publikisht e personalisht, edhe pas targetimit të tyre në Listën e Zezë amerikane.
Të dielen, vendimi i qeverisë për aplikimin e dy masave të reja ndaj Serbisë – respektivisht rreth ndalimit të targave ilegale nga MPB-ja serbe si dhe reciprociteti sa i përket dokumenteve hyrëse/dalëse me Serbinë – u shtye për 30 ditë, dhe si rrjedhojë e kërkesë, u hoqën edhe barrikadat.
Lista Serbe pohon të ketë qenë Radoijçiç në mesin e barrikaduesve, dhe me “autoritetin” që ia atribuon, nënkuptohet edhe si “barrikaduesi” kryesor.