Kosovarët zor se po arrijnë të këndellen nga ‘fatkeqësitë’ që po i kanosen njëra pas tjetrës. Në pikun e verës tash kur rryma nuk është aq e domosdoshme sa dimrit, në Kosovë po aplikohet masa ‘prapanike’ 6 me rrymë 2 pa rrymë, po kur të vjen acari?, shkruan Syri net Kosova.
Opozita e ashpër me qeverinë: E paaftë për zgjidhjen e problemit me energji
Situatën e tillë, opozita në vend po e shohin si rezultat të pazotësisë së qeverisjes aktuale.
Më e madhja parti opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti pas fillimit të aplikimit të reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se e gjithë kjo vjen si pasojë e mungesës së ideve dhe planeve për zgjidhjen e problemit me krizën energjetike.
Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, i ka kërkuar Qeverisë Kurti përgjegjësi dhe llogaridhënie për paaftësi të menaxhimit të krizës energjetike. Nikaj tha se kjo situatë 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është dështim kapital i logjikës rrugë pa krye të Albin Kurtit, që ka imponuar edhe çmim më të lartë për rrymë edhe kemi reduktime.
Më tej kritike ka qenë edhe zëdhënsja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, e cila ka thënë se në mes të gushtit, familjeve në Kosovë përveç krizës së çmimeve të larta të produkteve esenciale për jetë tani i shtohet edhe “ngarendja për ta zënë rrymën e kryer obligimet e përditshmërisë që po i rëndohet çdo ditë e më shumë”. Për Halimin, pushteti ka ngritur lart flamurin e bardhë të dorëzimit, pasi nuk po merret me krizën e energjisë elektrike e të çmimeve.
Shoqëria civile kryqëzon Kurtin: Mungesë vendimarrje – po e kthen Kosovën në terrin e para 20 vjetëve
Analisti politik, Ilir Ibrahimi po vlerëson se Qeveria Kurti po heziton për vendimarrje sa i përket çështjes me energji duke e kthyer kështu vendin 20 vjet prapa.
“Nëse reduktimet e rrymës fillojnë në gusht, kur e kemi konsumin e ulët, mund ta paramendojmë se çfarë mund të presim në dimër.Gjatë gjithë vitit nuk e kemi parë as edhe një hap të vetëm për tu përballur me këtë situatë. Përkundrazi, ka pasur neglizhencë dhe hezitim në vendimarrje.Dikush duhet të mbahet përgjegjës për kthim të vendit 20 vjet prapa- drejt territ e paperspektivës”, ka thënë ai.
Kurse biznesmeni kosovar, Burim Piraj ka shprehur shqetësim se mungesa e rrymës po pengon punën e fabrikës.
“U ndal rryma! Fabrika e vetme në Sharr, trajtohet si me qenë kotec i pulave!”, ka shkruar ai.
Ndërsa juristja e së drejtës së medies, Flutura Kusari ka treguar vështirësit që i ka shkaktuar në punë mungesa e rrymës. Ajo ka apeluar për kursim të rrymës.
“Dmth punon nje jave ne nje dokument, vjen momenti me e prezantu para kolegeve, tamon ja nise prezantimit, c’krap nalet rryma. Lidhesh me hotspot, te bllokohet sharing e ppt se dobet interneti dhe keshtu te gjuhet n’lloç mundi.Edhe qato mundesi te punes qe i kemi siguru me mundi te madh, Kosova t’i rrezikon. Muj vetem me i paramendu humbjet qe ia shkakton sektorit privat. Koleget e mi te punes jane nga disa vende te Bashkimit Europian. Ne ato vende, perfshire Gjermanine, ka kursim te rrymes por jo reduktim”, është shprehur ajo.
E eksperti i fushës së energjisë, Dardan Abazi ka konsideruar se në Kosovë, sektori i energjisë ka nevojë për qeverisje energjetike dhe dinamike.
“Sektorit të energjisë i duhet qeverisje energjike dhe dinamike”, ka shkruar shkurt ai.
Kujtojmë që kjo situatë u krijua pasi Qeveria e Kosovës në kohë krize ndau për sektorin e energjisë 90 milionë euro, por të cilat sipas akterëve energjetik nuk u ekzekutuan në llogaritë e tyre. Derisa sektori i energjisë t’i marr ‘këmbët’ duket se qytetarët do të vuajnë më së rëndi pasojat e mosveprimeve insitucionale.