Policia e Kosovës pas një aksioni kohë më parë kundër kontrabandës në katër rajonet e Kosovës kishte shpallur në kërkim 10 persona si të dyshuar për kontrabandim me mallra.
Në mesin e tyre ishte edhe Besim Zeqiri, i njohur si “Kaça” nga Mitrovica, i cili dyshohet se është “njeriu kryesor” i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë.
Kaça është pronari i barnatores ku Njësia Speciale e Kosovës me anë të një aksioni kishte bastisur barnatoren e tij nën dyshimin për kontrabandë.
Kujtojmë se ai ishte arrestuar në vitin 2018 nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për krim të organizuar.
Edhe drejtori i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti e kishte konfirmuar se lokali ku ishin sulmuar policët e Kosovës ishte e një shqiptari, që është i njohur për veprimtari kriminale.
“Rreth orës 11 të gjitha njësitë policore që kanë pjesë në operacion janë tërhequr. Një informacion shtesë, në barnatoren ku janë sulmuar policët është lokal i një shqiptari që është i njohur për veprimtari kriminale. 26 lokacione, 8 persona janë arrestuar, 10 në kërkim, 10 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime. Lëndimet janë të lehta, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Një qytetar i lënduar, disa automjete zyrtare të dëmtuara, disave u është vënë zjarri. Pjesëtari që është i lënduar është një qytetar që ka precedent penal, ka qenë në 2011 u akuzuar për vjedhje të rëndë”, kishte thënë Mehmeti atë ditë pas aksionit policor.