“Pakoja për përballje me inflacionin”, e quajti Albin Kurti, pakon e re të Qeverisë, e cila parasheh shpërndarjen e 150 milionë eurove nga buxheti i Kosovës, për pensionistët, studentët, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe punëtorëve të sektorit publik, por je edhe për ata të sektorit privat.
Mu për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga i pari i ekzekutivit përkrahje direkte dhe pa kushtëzime për punëtorët dhe sektorin privat.
Sipas tyre, pika e vetme e pakos së re të masave për përballje me inflacionin për sektorin privat, e cila parasheh kushtëzimin prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për tre muajt e parë, është vështirë i realizueshëm për një pjesë të madhe të bizneseve.
“Kjo pasiqë punëdhënësit e sektorit privat e që janë shumicë, do ta kenë shumë vështirë të bëjnë ngritjen e pagave për punëtorët e tyre, për shkak se të njëjtit kanë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për bizneset e tyre, në mënyrë që të njëjtat të mos falimentojnë”, thuhet në reagimin e tyre.
“Andaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzoj punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sekorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti”, vazhdon reagimi.
Për Dhomën e Tregtisë së Kosovës, bizneset në kohën e reduktimeve të energjisë elektrike, kanë mbetur 6 orë në ditë pa rrymë dhe për këtë nuk kanë marrë asnjë përkrahje nga shteti për humbjet e mëdha të shkaktuara në prodhime.
“Dhoma e Tregtisë fton Kryeministrin e Kosovës në një dialog të drejtpërdrejtë duke e marrë parasysh se çdo ditë është në terren duke e monitoruar gjendjen e bizneseve. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon gjithashtu nga Kryeministri, Ministrat dhe sektorët tjerë të shtetit që të marrin parasysh kërkesat e vazhdueshme që janë duke Ju dërguar në tejkalimin sa më të lehtë të krizës dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në vend”, përfundon reagimi.