Ish-trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku ka debatuar ashpër me drejtorin sportiv të klubit drenicas, Taulant Dajakun, në një emision televiziv të dielën në mbrëmje.
Lushtaku dhe Dajaku kanë debatuar lidhur me keqmenaxhimin e klubit që ndodhet në një gjendje të rëndë financiare.
Dajaku, i lidhur në studion e RTC Dukagjinit përmes telefonit, ka kritikuar ish-trajnerin e Drenicës, Tahir Lushtakun, për shpifje rreth situatës në klub.
“Qëllimi i asaj pse unë ju more është jo diçka që ka të bëjë me emrin tim, por çështja është se intervenimi im është me shpifjen që më shumë e keqësojnë gjendjen e klubit dhe që vijnë nga njerëz që të vetëm gjë në karrierën e vet e kanë pasur rastin që të jetë trajner te Drenica”, tha Dajaku.
Dajaku përmendi përfshirjen e Lushtakut në kontraktimin e një futbollisti nga Norvegjia, ndaj të cilit KF Drenica tashmë ka detyrime dhjetëra mijëra euro.
“Unë e cilësoj keqmenaxhim atë që trajnera të caktuar kanë pranuar të marrin lojtarë nga Norvegjia, i cili nuk ka lidhje me futboll, dhe i cili nuk luajti më shumë se 18 minuta dhe Drenica do të duhet të paguajë 18 mijë euro”, u shpreh ai.
Ndërkaq, Lushtaku nuk u përmbajt në reagimin e tij. Ai e quajti Dajakun “servil të pushtetit” në Komunën e Skenderajt.
“Ti je zero për Drenicë. Ti je një servil i pushtetit dhe i njerëzve të caktum”, tha Lushtaku.