Komisioni Ad hoc i kishte propozuar Kuvendit për votim për anëtar të Bordit të RTK-së Mehmet Kalisin dhe Besnik Aliun. Vëzhguesit e procesit dhe organizatat ndërkombëtare alarmojnë për mungesë transparence dhe objektiviteti gjatë përzgjedhjes. Kërkohet që ky proces të përsëritet. Më i vlerësuari, Mehmet Kalisi, kishte postime ku i shante të gjitha mediat kosovare dhe thoshte se kur i lexon mediat serbe “ndihesh shumë më i çliruar”.
Gazeta Express
Para se Kuvendi të shkonte në pushim të verës, në Komisionin Ad hoc, në të cilin pesë anëtarë janë nga Lëvizja Vetëvendosje, një nga LDK, një nga AAK dhe një nga minoritetet, janë bërë vlerësimet e kandidatëve për një anëtar të bordit të RTK-së.
Kandidati Mehmet Kalisi është vlerësuar më së shumti dhe emri i tij, bashkë me të, Besnik Aliu, që është i dyti më i vlerësuari do të shkojnë në Kuvend për votim.
Ndryshe prej përzgjedhjes së anëtarëve të parë të bordit aktual të RTK-së, që është lavdëruar për punë të mirë të komisionit të mëhershëm, këtë herë kanë ndryshuar rrethanat. Komisioni i tanishëm përbëhet prej Fitim Hazirit (LVV), Arbëreshë Kryeziut (LVV), Njazi Isakut (LVV), Valon Ramadanit (LVV), Besim Muzaqit (LVV), Ergjan Galushit (LPRK), Albana Bytyqit (AAK) dhe Agim Veliut (LDK).
Organizatat që e kanë vëzhguar procesin dhe organizatat ndërkombëtare janë alarmuar nga mënyra e vlerësimit të personave, që kandiduan për anëtar të Bordit, ku Kalisi mori më së shumti pikë.
Sipas Lëvizjes “FOL”, që e ka monitoruar procesin, ka pasur mungesë transparencë në vlerësim të kandidatëve dhe anshmëri në vlerësimin e tyre.
“Të gjithë kandidatëve nuk u janë parashtruar pyetjet e njëjta nga ana e komisionit, duke krijuar kështu trajtim të pabarabartë të kandidatët dhe vlerësim jo objektiv dhe jo meritor nga ana e komisionit”, thuhej në një reagim të “FOL”, menjëherë pasi u bë vlerësimi.
Vëzhgues të procesit i kanë thënë Gazetës Express se për disa kandidatë kishte pasur pyetje të tjera shtesë, në kundërshtim me praktikën e ndjekur në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të tjerë të RTK-së.
Vlerësimi i kandidatëve me poentim të fshehtë është theksuar edhe kur u dhanë arsyet nga organizatat joqeveritare pse ky proces duhet të përsëritet nga fillimi.
Kandidati më i vlerësuar, Mehmet Kalisi, gjatë intervistimit kishte përmendur si ide krijimin e një agjencie shtetërore të lajmeve në kuadër të RTK-së.
Gazeta Express ka dërguar të mërkurën pyetje në adresë së Kalisit rreth kësaj ideje të shpalosur nga dhe për qasjen e tij ndaj mediave, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.
Ai e ka mbyllur profilin e tij në Facebook, por në disa postime që ai i ka bërë më herët në këtë rrjet social shihet qasja që ka ndaj mediave pretendenti për anëtar bordi të RTK-së.
Kalisi shante të gjitha mediat dhe shkruante se kur po i lexon mediat serbe, ato pro presidentit serb, Aleksandër Vuciqit, dhe të tjerat, “po ndihesh shumë më i çliruar”.
Organizatat që e kishin lëvduar më parë përzgjedhjen e anëtarëve të mëhershëm për bord të RTK-së, janë të pakënaqura me mënyrën se si u bë vlerësimi i kandidatëve, ku Kalisi doli më i suksesshmi.
Për reagimet rreth procesit, Gazeta Express ka pyetur të hënën kryetarin e komisionit Ad hoc, Fitim Hazirin e LVV-së, por, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, ai nuk është përgjigjur.
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kërkoi të nis edhe njëherë nga fillimi procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për një anëtar të bordit, duke përmendur se kriterët për vlerësim duhet të jenë të njëjta si në përzgjedhjen e parë të anëtarëve të bordit aktual të RTK-së
“Përzgjedhja e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik kërkon transparencë maksimale dhe kriterin për objektivitet. Kjo vlen edhe për RTK-në në Kosovë, sic vlen për secilin kanal publik. Parlamenti duhet ta rinis këtë procedur, nëse dëshiron që të jetë kredibile”, thuhej në reagimin e EFJ-së.
Një komision tjetër parlamentar, i formuar për përzgjedhjen e bordit të RTK-së ishte lavdëruar edhe ndërkombëtarisht për mënyren se si vlerësoi kandidatët për anëtarë të bordit në nëntor të vitit 2021.
Konkursi për një anëtar të bordit u hap, pasi Bekim Sele dha dorëheqje nga bordi i RTK-së, gjatë përzgjedhjes së Drejtorit të transmetuesit publik.