Futbollisti 22-vjeçar i Malmos në Suedi, Patriot Sejdiu ka thënë se nuk mund t’i thotë ‘Jo’ një ftese të mundshme nga kombëtarja e Suedisë, mirëpo “më mirë do të kisha zgjedhur Kosovën”.
Sejdiu, i cili ka nga një paraqitja për grupmoshat e të dy kombëtarëve (një për Suedinë U-20 dhe një për Kosovën U-21), ka thënë të hënën në një intervistë për gazetën suedeze Expressen se mund të luajë për Kosovën në të ardhmen.
Siç shkruan Expressen, Sejdiu në intervistën e tij ka folur për rrugëtimin e tij të papritur në 11-shën startuese të Malmos, për pseudonimin “Totti” që i është vënë që në fëmijëri, si dhe për dashurinë e tij për atdheun, Kosovën.
“Nuk them jo nëse thërret Kombëtarja e Suedisë, por më mirë do të kisha zgjedhur Kosovën”, ka thënë 22-vjeçari.
Në muajin mars të këtij viti, Sejdiu luajti një ndeshje për Kosovën U-21 ndaj Sllovenisë U-21 në Prishtinë. Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikueset e kampionatit evropian të 21-vjeçarëve.