Qeveria e Gjermanisë ka demantuar pretendimet për një “kornizë të re” të dialogut mes Kosovës dhe Serbisl.
Nga Qeveria Gjermane kanë thënë se kanë përcjellë raportimet në media për një dokument të tillë për të cilin është supozuar se është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe Lajcak tek kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, por potencojnë se një letër e tillë s’vjen as nga Gjermania, as nga Franca e as nga Miroslav Lajcak.
Nga Berlini zyrtar theksojnë se nuk kanë informacione se kush e ka shpikur një dokument të tillë dhe me çfarë qëllimi.
“Ne kemi vërejtur raportimet në mediat shqipe rreth të të ashtuquajturës rrjedhje të një dokumenti katër faqesh që supozohet se është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe Përfaqësuesi Special Lajçak tek kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq. Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruajnë raportimet nuk vjen nga Franca, Gjermania apo Përfaqësuesi Special. Ne s’kemi informacione kush e ka shpikur atë dhe me çfarë qëllimi”, ka thënë një zëdhënës i qeverisë gjermane për Gazetën Express.
Sipas publikimit të Albanian Post, thelbi i kornizës së përmendur është se marrëveshja e re duhet të arrihet deri në mesin e vitit 2023. Nuk do të nënkuptonte njohje formale të Kosovës si shtet nga Serbia, por përkohësisht do të mjaftonte që Serbia ta “pranonte” ekzistencën e Kosovës si realitet më vete juridiko-politik.
Sipas këtij teksti, Serbia duhet ta njohë zyrtarisht Kosovën pas 10 vitesh, kur “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në prag të anëtarësimit në BE”.
“Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut”, thuhet në dokumentin e pretenduar që “Albanian Post” thotë se e ka.
“Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”, thuhet në tekst.