Prishtinë – Për shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të bëhet ekspertizë psikiatrike ndaj të akuzuarit Fahredin Gashi, është ndërprerë gjykimi në rastin ‘‘Toka’’.
Ky vendim është marr nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti, pas propozimit nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokatit Tahir Rrecaj, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Fillimisht, avokati Rrecaj ka propozuar dy alternativa, duke kërkuar që procedura ndaj të akuzuarit Gashi të veçohet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore duke përmendur faktin se ekzistojnë disa raporte nga Forenzika Psikiatrike e Kosovës të cilat konstatojnë se i njëjti ka sëmundje psikike të përhershme.
Ai tha se i akuzuari Gashi nuk mundet me u përball me shqyrtimin gjyqësor pasi që nuk e kupton peshën dhe rëndësinë e gjykimit dhe se nuk komunikon me avokatin mbrojtës.
‘‘Të gjitha këto sëmundje nga viti 2002 e në veçanti nga viti 2008 janë të karakterit të përhershme me ndikim të theksuar në funksionet psikike’’, tha avokati Rrecaj.
Më pas, ai propozoi alternativën tjetër, duke kërkuar që në këtë procedurë penale të bëhet një ekspertizë tjetër.
Lidhur me këtë, prokurori i rastit Naim Abazi ka thënë që nëse gjykata vendos për caktimin e një ekspertize, atëherë trupit gjykues do i kërkoj që në shkresat e lëndës të vendoset vendimi me të cilën prokuroria në atë kohë kishte refuzuar propozimin e mbrojtjes për veçim procedurës me rrethanat dhe arsyet e paraqitura si në të.
Në këto rrethana, trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtjes për veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Gashi, por që urdhëroi ekspertizë psikiatrike ndaj tij.
“Në çështjen penale sipas aktakuzës PS.nr.54/14, urdhërohet ekspertizë psikiatrike bazuar në rrethanat kur kemi disa ekspertiza të cilat e konstatojnë një gjendje pothuajse të njëjtë por në anën tjetër kemi një vendim të prokurorit të çështjes në atë kohë i cili konstaton se në rastin konkret ekzistojnë disa prova të ekspertët nuk i kanë pasur parasysh në ekspertimit psikiatrik”. deklaroi gjykatësi Hoti.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Azem Syla, avokati Besnik Berisha kërkoi nga trupi gjykues që të kihet parasysh se nëse në fazë të mëvonshme vie një vendim i cili thotë se i akuzuari në fjalë s’ka qenë në gjendje me e përcjell gjykimin, atëherë duhet të kthehen sërish në pikën zero.
Andaj, gjykatësi Hoti deklaroi se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës gjyqësore dhe seanca do të shtyhet për një kohë të arsyeshme derisa ky trup gjykues të merr përgjigje nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike të Kosovës.
Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet më 17 nëntor 2022.
Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.
Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura