Deputeti Armend Muja dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala janë përplasur lidhur me furnizimin me energji në minierën e Trepçës dhe rënies së performancës së kësaj ndërmarrje publike.
Gjatë raportimit në këtë komision të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deputeti nga PDK-ja, Shala ka konstatuar se në këtë qeverisje, Trepça është duke punuar me humbje që një vit.
Për gjendjen në Trepçë, deputeti Muja tha se operimet me humbje kanë ndodhur që nga viti 2016.
Deputeti Vetëvendosjes pikërisht për këtë gjendje, drejtoi gisht nga Shala duke i thënë: “Ti e ke shkatërruar Trepçën”.
“Një korrektësi, Trepça ka punuar me humbje që nga viti 2016, tek tash janë zvogëluar humbjet. Kur kemi ardhur ne në pushtet 5 milionë euro janë paguar borxhe. Trepçën e ke shkatërruar ti personalisht me krejt konjekturën tënde. Ti, ti”, tha Muja.
Për këtë reagoi deputeti Shala, i cili e quajti të pa ditur dhe problematik, deputetin Muja.
“Armend, po më befason, sot çka paske… Armend, seriozisht nuk je askush, as politikisht as intelektualisht, as profesionalisht nuk je. Mundesh me fol me i përdorë kamerat, dhe me drejtuar gisht, por bash askushi s’je hiq. Në as një aspekt me ma drejtuar gishtin. Je një i pa ditur, je një problematik, je ai që i shfrytëzon mediat dhe një djalë që mjerisht e që është fatkeqësi e atyre që të mbajnë në këto pozicione”, tha ai.