Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deputetit të VV-së, Armend Mujës, për shifrat e papunësisë në vend. Ajo thotë se pushteti është duke manipuluar me këto shifra.
Bajrami në një postim në Facebook ka thënë se nuk është e vërtetë që është rritur punësimi për 6.9% në fund të vitit 2021.
“Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, në faqe 78 thotë: 62,417 veta janë angazhuar nga KQZ në procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 14 shkurt 2021 dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajt tetor dhe nëntor 2021.Ndërsa shkalla e papunësisë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 20.5%. Shih foton dhe linku i bashkangjitur këtu”, ka shkruar Bajrami.
Sipas deputetes Bajrami në kohën kur janë bllokuar pagat e mësimdhënësve Qeveria është duke manipuluar.
“Asnjë temë tjetër nuk është më e rëndësishme se sa pagesa e mësimdhënësve. Asnjë video propaganduese, asnjë manipulim me shifra nuk e mbulon temën e pagesës së mësimdhënësve”, shtoi ajo.