Pas më shumë se dy javësh në arrati ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës biznesmeni i njohur kosovar, Bajram Gashani, i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin ‘Brezovica’, raporton Sinjali.
Arrestimin e Gashanit e ka konfirmuar prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili tha për Sinjalin se ai është arrestuar dje dhe është dërguar në mbajtje.
Gjatë aksionit të Policisë më 21 shtator, bastisje është kryer edhe në lagjen Universiteti në kryeqytet, konkretisht në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të pronarit të kompanisë ‘Al Trade’, Bajram Gashanit.
Gjatë kontrollit te Gashani ishin gjetur dhe sekuestruar: Një revole me nr serik 54A 040356, 9 fishekë te cal. 45 mm, dy karikator te revoles dhe një kallf i revoles.
Kujtojmë se ky aksion ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave të dyshuar për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”,nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.