Ushtarët e FSK-së nga Mitrovica u pritën nga Kryeministri Kurti, pas suksesit të madh në stërvitjen patrulluese ndërkombëtare “Cambrian patrol’2022” në Mbretërinë e Bashkuar.
Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një njoftimi në Facebook, përcjell Jepi zë.
“Menjëherë pas kthimit të ekipit të FSK-së nga Mbretëria e Bashkuar, në shenjë të suksesit të madh të tyre, fitoren e medaljes së argjendtë në stërvitjen e famshme patrulluese “Cambrian patrol’2022″ , komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me komandot e ekipit fitues, u pritën nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Mehaj.
Me këtë rast, Gjeneral Jashari njoftoi kryeministrin Kurti me informacione mbi këtë stërvitje, organizimin, përmbajtjen si dhe sfidat që e karakterizojnë këtë stërvitje.
Kurti përgëzoi Gjeneral Jasharin si dhe komandot e FSK-së, për suksesin e madh, duke cilësuar nder jo vetëm për FSK-në dhe vendin tonë, por edhe mirënjohje për mbështetjen dhe partneritetin e ngushtë me Qeverinë dhe Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.