Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se Kosova dhe Shqipëria mes vete kanë dyfishuar gjatë 2022 aktivitetet ushtarake dhe ministrore.
Me anë të një postimi në Facebook ai ka thënë se vetëm këtë vit, janë realizuar me dhjetra stërvitje të përbashkëta ndërmjet njësive të forcave tokësore në nivelin taktik, prej skuadre, togu e deri te ai i kompanive për të kulmuar në proces, në të ardhmen e afërt, edhe në nivel batalioni/regjimenti.
Ai gjithashtu ka thënë se në këto stërvitje, për herë të parë, njësitet vendase u trajnuan dhe operuan në stërvitje me mortaja të kalibrave 60 mm dhe 81 mm.
“Pastaj stërvitjet e shumta të njësive tona të forcave speciale për operacione speciale dhe operacione të forcave komando.Krahas këtyre paralelisht janë realizuar edhe dhjetra trajnime e stërvitje të shumta për komponentet tjera të mbështetjes luftarake dhe mbështetjes luftarake me shërbime. Për herë të parë, nga viti 2021 kemi filluar edhe studimet e kadetëve tanë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në nivelin 4 vjeçar bachelor në shkencat ushtarake”, ka shkruar Mehaj.
Ai gjithashtu ka thënë se është trefishuar numri i nënoficerëve dhe oficerëve në shkollat profesionale komando-shtabore dhe ato të lidershipit ushtarak në institucionet arsimore ushtarake të Shqipërisë.