Sot u bë përurimi i kompleksit të varrezave të të rënëve të fshatit Polac gjatë luftës së fundit ’98-99, shkruan portali Rajoni.org.
Në këtë përurim morën pjesë personalitete të ndryshme nga rajoni por edhe më gjerë.
Aty ishte prezent edhe anëtari i familjes Jashari njëherit edhe ish-kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari.
Ai e përuroi këtë realizim dhe u shpreh falënderues ndaj kësaj, pasi tash e tutje varrezat e të rënëve do të jenë në një gjendje shumë më të mirë sesa në të kaluarën.
Jashari u bëri edhe thirrje atyre që ishin të pranishëm, duke i ftuar që bashkërisht të punojnë për të realizuar Kosovën ideale, që çlirimtarët e kishin imagjinuar ta bënin, gjatë luftës së fundit.
Postimi i plotë i Jasharit:
“Në ceremoninë e përurimit të kompleksit të varrezave të të rënëve të fshatit Polac gjatë luftës së fundit çlirimtare, para familjeve të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, u shpreha i lumtur që kërkesa e kryesisë dhe banorëve të këtij fshati u realizua dhe nga sot varret e të rënëve të Polacit do të jenë në një gjendje shumë më të mirë nga ajo që kishin mbetur tash e 23 vite pas lufte.
Njëkohësisht bëra thirrje që bashkërisht të punojmë në realizimin e amanetit të dëshmorëve e martirëve të Lirisë për të pasur një Kosovë të fortë e të bashkuar.
Lavdi të rënëve të Lirisë!”/Rajoni.org/