Edhe këtë vit nuk pritet që të fillojnë punimet për konservimin e Kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ka konfirmuar drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksëve Memoriale, Bislim Zogaj.
Ai ka thënë se punimet në këtë kompleks priten të fillojnë në pranverën e vitit tjetër. Sipas tij, punimet do të zgjasin për më shumë se dy vjet.
Zogaj tha se ekspertët kanë vlerësuar se shtëpitë e rezistencës mund të mbijetojnë edhe për pak kohë, por sipas tij, ato mund të rrezikohen vetëm në rast që ka ndonjë tërmet.
“Po shpresojmë që deri në pranverë do ta kemi edhe projektin dhe nga viti i ardhshëm do të fillojmë konservimin e shtëpive të rezistencës po edhe gjithë projektin me objektet e tjera përcjellëse. Komunitete ndërministror kishte caktuar një komision të ekspertëve që kanë pasur obligim deri në fund të viti të na bin detyrën projektuese, po është insistuar nga ky komision që të vije detyra projektuese më herët dhe kjo është realizuar. E kemi votuar këtë, jemi në fazën ku jemi duke diskutuar se cila do të jetë forma më e lehtë për ti zhvilluar procedurat e tenderët për realizimin e projekteve”.
“Në pranverë do të fillojmë restaurimin e shtëpive të rezistencës pastaj me vazhduar me projekte të tjera në atë kompleks. Ku do të jetën një projekt më i frekuentuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon sepse projekti do të filloj nga fabrika e municioneve e deri te bunkeri ku ka qëndruar Adem Jashari. Po shpresojmë që deri në vitin 2023 t’i konservojmë shtëpitë e rezistencës pastaj gradualisht të tjerat”.
“Prej se jam unë drejtor e kam pasur frikën e këtyre shtëpive se mos po rrënohen dhe pastaj do të na mungonte diçka e shpejtë. Kemi vlerësuar gjendjen e tyre, fillimisht jemi përcaktuar në dy objekte jo këto ku ka luftuar Adem Jashari, por në hyrje të fshatit. Ekspertet kanë vlerësuar që Kullat e rezistencës edhe për një kohë të shkurtër nuk mund të jenë të rrezikuara, dashtë zoti të mos ketë ndonjë termet, përndryshe ata kanë llogaritur se edhe për një kohë mund ti qëndrojnë kohës”, tha ai.